Lëkurë e plasaritur, disa përdorin ujë shumë të nxehtë për tu ngrohur, por lëkura reagon duke zgjeruar kapilarët, të cilët bëhen të dukshëm dhe nuk arrijnë të ngushtohen më, duke formuar atë që në dermatologji quhet kuperozë.

Për të kuruar skuqjet dhe plasaritjet e lëkurës, sugjerohet të hidratohet duke pirë si fillim dy litra ujë gjatë gjithë ditës dhe duke aplikuar në fytyrë një herë në javë për 10 minuta bukë të lagur më ujë, e cila vendoset mbi një garzë.

E pyetur për këtë problem, dermo-estetistja Lida Hoxha, pranë Klinikës Dermo Life, iu jep përgjigje pyetjeve të mëposhtme:

Përse gjatë të ftohtit mund të dëmtohet lëkura e fytyrës?
Dr. Lida Hoxha: Kur termometri shënon temperatura të ulëta, kapilarët e fytyrës shtrëngohen duke bërë një oksigjenim më të vogël të lëkurës, ndërkohë që kur futemi në ambiente të ngrohta, kapilarët zgjerohen dhe ky ndryshim temperaturash i dobëson ato. Kur ambientet janë shumë të ngrohura, uji që ka lëkura avullon më shpejt, duke e tharë lëkurën dhe duke e bërë opake. Përveç kësaj, pluhurat që janë në ajër gjatë muajve të ftohtë, rrisin sensibilitetin dhe shkatërrojnë lëkurën.

Çfarë rrezikon zgjerimi i kapilarëve?
Dr. Lida Hoxha: Lëkura reagon ndaj ndryshimeve të temperaturave duke zgjeruar kapilarët, të cilat më pas nuk arrijnë të shtrëngohen, duke formuar atë që në dermatologji quhet kuperozë që shfaqet si skuqje në faqe ose pjesë të tjera të fytyrës.

Si këshillohet të kurohet lëkura e çarë në muajt e ftohtë?
Dr. Lida Hoxha: Rekomandohet të lahet fytyra dy herë në ditë me ujë të vakët, në mëngjes për ta freskuar dhe për t’i dhënë më shumë vitalitet dhe në darkë për të eleminur substancat ndotëse prezente në atmosferë si dhe për të larguar gjurmët e grimit. Fytyra më pas thahet me kujdes, sepse pikat e ujit që mbeten në fytyrë, sidomos ato rreth buzëve dhe syve, në kontakt me ajrin e ftohtë mund të krijojnë çarje të lëkurës. Sugjeroj gjithashtu që të përgatisni një çaj kamomili dhe ta kaloni mbi lëkurë me pambuk. Gjithashtu nuk duhet harruar proçesi i hidratimit të lëkurës duke pirë dy litra ujë në ditë si dhe aplikimi i kremit hidradant në mëngjes dhe në darkë. Hidratimi ndihmon dhe përmirëson elasticitetin dhe duke e shpëndarë nëpërmjet lëvizjeve masazhuese me disa pickime të vogla për rreth 5 minuta, riaktivizohet qarkullimi i gjakut duke i dhënë lëkurës edhe një ngjyrë më të bukur.

Kur kalojmë fundjava në borë në mal, si duhet ta mbrojmë lëkurën?
Dr. Lida Hoxha: Pyetje e drejtë, në këto raste nuk duhet të harroni kremrat e dielit pavarësisht se bëhet fjalë për një stinë të ftohtë. Sidomos në male ka rrezik që lëkura të digjet, sepse akulli dhe bora funksionojnë si një pasqyrë duke intensifikuar potencën e rrezeve të diellit. Gjithashtu kremrat solarë përmbajnë gjalp vegjetal dhe substanca ushqyes të cilat krijojnë një barrierë izoluese ndaj erës dhe të ftohtit dhe duke penguar dishidratimin e lëkurës dhe krijimin e rrudhave, por edhe të njollave.
Çfarë karakteristikash duhet të ketë kremi i diellit dhe me çfarë frekuence këshillohet të aplikohet?
Dr. Lida Hoxha: Këshillohet që kremrat e diellit në këtë stinë të kenë faktorin mbrojtës 50, sepse janë më të sigurtë. Rekomandohet që të aplikohet vazhdimisht edhe kur nuk ka diell, më mirë çdo 2-3 orë, për të garantuar një mbrojtje të vazhdueshme të lëkurës.

(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: