Dy persona janë arrestuar dhe një i tretë është proceduar nga policia e Tiranës. Të tre rastet janë të lidhura me lëndë piroteknike.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin H. Z., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjetin dhe në banesën e tij, u gjet një sasi e konsiderueshme lëndësh piroteknike. Gjithashtu, u gjet një sasi e madhe veshjesh të dyshuara të kontrabanduara. Lëndët piroteknike dhe veshjet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale;
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin D. Q., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjetin dhe në banesën e tij, u gjetën lëndë të ndryshme piroteknike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale;
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin R. H., 45 vjeç, pasi gjatë kontrollin në marketin në pronësi të tij, në rrugën “Frosina Plaku”, u gjet një sasi lënde e dyshuar plasëse, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
