Leon Pohls është shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të Vllaznisë në këtë sezon, duke u kthyer në një pikë të fortë të formacionit kuqeblu. Portieri gjerman ka fituar gradualisht besimin e stafit teknik, shokëve të skuadrës dhe tifozëve, falë paraqitjeve të sigurta dhe vendimtare mes shtyllave.POHLSSot, emri i tij lidhet drejtpërdrejt me stabilitetin defensiv të skuadrës shkodrane. Në fillim të sezonit, ardhja e Pohls u shoqërua me jo pak dyshime. Performancat e tij të mëparshme dhe fakti se vinte nga Shamrock Rovers u panë me skepticizëm nga një pjesë e opinionit sportiv. Megjithatë, 28-vjeçari ka ditur të përgjigjet në fushë, duke i mbyllur gojën çdo kritiku përmes pritjeve të sakta, vendosjes së mirë dhe qetësisë që transmeton në prapavijë.
Ish-portieri i Shamrok Rovers ka treguar rritje nga ndeshja në ndeshje, duke u shndërruar në një garanci për Vllazninë. Ai ka qenë shpesh vendimtar në momente kyçe, duke ndalur raste të pastra shënimi dhe duke mbajtur ekipin në lojë edhe në situata të vështira. Kjo ka bërë që trajneri Martini ta konsiderojë Pohls si një element të pazëvendësueshëm në skemën e tij taktike. Kulmi i këtyre paraqitjeve erdhi në ndeshjen e fundit ndaj Egnatias, ku Vllaznia triumfoi me rezultatin minimal 1-0.
Në atë sfidë, Pohls ishte protagonist absolut, veçanërisht me pritjen spektakolare ndaj Fernandos pas një goditjeje të fortë nga distanca. Një ndërhyrje që vlejti sa një gol dhe që mbajti të paprekur portën kuqeblu. Ajo pritje rezultoi vendimtare edhe për fatin e takimit, duke i siguruar Vllaznisë tre pikë shumë të rëndësishme në garën e saj sezonale. Leon Pohls po dëshmon se është një lider i heshtur, që flet me veprime dhe jo me fjalë, ndërsa çdo javë e më shumë po justifikon besimin e dhënë dhe po forcon statusin e tij si një nga portierët më të spikatur të kampionatit.
