SHKELJA FLAGRANTE E LIGJIT/ Kompania “FI GROUP” denoncon publikisht drejtoreshën e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, për ndërhyrje të paligjshme në kontrollin tatimor, ushtruar pranë shoqërisë, duke e cilësuar procesin si arbitrar dhe në shkelje të hapur të ligjit.

Shkelja lidhet me mosnjohjen si shpenzim të zbritshëm të vlerës së një pasurie të paluajtshme të blerë në 2022 dhe të shitur në 2023, konkretisht ish-hotel “Turizmi i Vjetër” në Pogradec, blerë me kontrata të rregullta noteriale.

Letër e hapur drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave, institucioneve të pavarura kushtetuese dhe përfaqësive diplomatike të akredituara në Shqipëri.

Shoqëria “FI GROUP” denoncon publikisht drejtoreshën e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, për ndërhyrje të paligjshme në kontrollin tatimor, ushtruar pranë shoqërisë, duke e cilësuar procesin si arbitrar dhe në shkelje të hapur të ligjit. Shkelja lidhet me mosnjohjen si shpenzim të zbritshëm të vlerës së një pasurie të paluajtshme të blerë në 2022 dhe të shitur në 2023, konkretisht ish-hotel “Turizmi i Vjetër” në Pogradec, blerë me kontrata të rregullta noteriale. Erilinda Lala, ish-vartëse e ministrit të Financave, Petrit Malaj, por e komanduar si dorë e fortë dhe punëmbaruar në drejtimin e Tatimeve Tiranë, ka ndërhyrë drejtpërdrejt në procesin e kontrollit tatimor, duke imponuar mosnjohjen e shpenzimeve për blerjen e tokës dhe ndërtesës së ishhotel “Turizmi” në Pogradec, megjithëse transaksionet janë kryer me kontrata noteriale, pagesa bankare dhe dokumentacion të plotë ligjor. Shoqëria “FI GROUP”, pjesë e grupit “Hysenbelliu” e konsideron këtë një precedent tepër të rrezikshëm për sigurinë fiskale dhe klimën e biznesit në vend.

11111
11111

Rasti bëhet edhe më i rëndë për shkak se vetë inspektori i kontrollit, Ajet Laze, me eksperiencë të gjatë në administratën tatimore, ka refuzuar të firmosë mosnjohjen e shpenzimit dhe vendosjen e penalitetit. Kjo është urdhëruar nga vetë drejtoresha Lala me shkrim në shkelje të ligjit, duke anashkaluar shkallet hierarkike, që janë përgjegjësi dhe drejtori i kontrollit. Në materialin paraprak të kontrollit, nga grupi i kontrollit citohet se vendimmarrja është bërë “sipas shënimeve të drejtoreshës rajonale”. Pas këtij fakti, inspektori Laze e larguan nga kjo detyrë, duke e transferuar pranë shërbimit të tatimpaguesit në Drejtorinë Rajonale Tatimore Durrës, pa kaluar procedurën ligjore për ulje në detyrë (komision disipline, etj…), por duke ngritur pikëpyetje serioze mbi arsyet reale të këtij transferimi.

Natyrshëm lindin pyetjet: A u transferua Ajet Laze sepse ishte i paaftë, ndonëse kishte eksperiencë të gjatë në Administratën Tatimore si inspektor kontrolli tatimor? Apo sepse refuzoi të firmoste një gjobë që binte ndesh me ligjin? “FI GROUP” pretendon se i gjithë procesi është deformuar nga ndërhyrja administrative dhe se raporti përfundimtar është firmosur nga një inspektor, që nuk ka marrë pjesë në kontroll. Kjo, sipas kompanisë, bie ndesh drejtpërdrejt me nenet 83 dhe 84 të Ligjit nr. 9920 “Për procedurat tatimore”, të cilat kërkojnë që raporti të hartohet dhe nënshkruhet nga inspektorët që kanë ushtruar realisht kontrollin. Kompania pretendon gjithashtu se një pjesë e personave të përfshirë në vendimmarrje nuk kanë qenë të emëruar sipas procedurave të ligjit për nëpunësin civil, çka ngre dyshime të forta mbi vlefshmërinë ligjore të të gjithë aktit administrativ. E gjithë kjo situatë vjen pas publikimit të investigimeve të emisionit “Vetting”, i cili ka publikuar dokumente që kanë të bëjnë me abuzimet e Erilinda Lalës me postin dhe fshehjen e pasurisë, ku janë të përfshirë edhe familjarët e saj. Në këtë kontekst, “FI GROUP” e konsideron kontrollin tatimor si një sulm të hapur administrativ dhe kërkon hetim të plotë institucional mbi mënyrën sesi është ndërtuar raporti i kontrollit.

Sipas kompanisë, rasti nuk është më thjesht një konflikt mes administratës dhe një biznesi privat, por një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë juridike, respektimin e procedurave ligjore dhe pavarësinë e administratës tatimore. Për këtë arsye, “FI GROUP” kërkon që rasti të shqyrtohet nga institucionet më të larta të shtetit, përfshirë Presidentin e Republikës përmes këshilltarëve të tij, Kuvendin e Shqipërisë, Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, si dhe nga trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, me qëllim verifikimin e pretendimeve për shkelje të ligjit dhe ndërhyrje në procesin administrativ dhe të kuptojnë se nga e gjen guximin kryetatimorja që shkel në mënyrë të hapur ligjin.

Shkelja e Lalës përbën një skandal të madh, pasi ajo nuk njeh shpenzimet 2 milionë euro që janë bërë me noter dhe veprime në bankë. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës, duke krijuar precedent të rrezikshëm ndaj biznesit si promotor i zhvillimit të ekonomisë, ndaj Erilinda Lala duhet hetuar dhe ndëshkuar për shkeljen flagrante të ligjit. Ka zëra që konfirmojnë se Lala është shprehur: “Mua nuk më trembet syri dhe së shpejti do jem drejtoreshë e përgjithshme e Tatimeve, minimumi drejtoreshë në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj. Çdo person që vepron në këtë mënyrë janë motivuar me ngritje në detyrë dhe kush nuk u bindet urdhrave arbitrarë, e largojnë nga detyra dhe rast pas rasti do t’i publikojmë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb