Është promovuar dje në Akademinë e Shkencave libri “Një histori letërsie e ndaluar”(Botimet Naimi), studim monografik i autores Besa Hoxha-Beqiri. Botimi tregon si u ndalua në vitin 1968 publikimi i vëllimit të tretë të “Historisë së letërsisë shqipe dhe si u përjashtuan Faik Konica, Gjergj Fishta dhe Sef Sikorit prej saj. Në promovim morën pjesë Floresha Dado, Klara Kodra, Shaban Sinani, Spiro Gjoni.
Sipas Dados, me këtë punim shënjohet një moment i rëndësishëm në fushën e studimit të shkencës. Në këto vite është folur shumë për domosdoshmërinë e shkrimit dhe rikonceptimit të një historie letërsie. “Janë shkruar mendime të ndryshme, nga më ekstremet, është shkruar që kanë anatemuar krejtësisht punën shkencore që është bërë në vitet e diktaturës qe një periudhë përplasje mendimesh. Ka ardhur koha që kanë filluar të vihen në vend gjërat nga ana shkencore e jo ideologjike”, tha ajo.
Dado vuri në dukje faktin se “Historia e Letërsisë” që sipas Jorgo Bulos, shkoi në shtyp dhe nuk doli në qarkullim. “Ajo periudhë kishte problematika të theksuara por, kuptojmë se nuk ishte krim që e bënë autorët e teksteve. Unë këtë pikëpamje e mbroj sepse fakti i një ‘Historie letërsie’ që shkoi në shtyp dhe papritur u ndërpre dhe u zhduk nga qarkullimi dhe nuk u fol më fare për të tregon se sa i fuqishëm ishte pushteti për të komanduar punët që bëja unë ose tjetri”,- u shpreh Floresha Dado, duke kujtuar se “kemi pasur studiues të mirë që hynin në specifikat e autorit, por ishte një regjim që të detyronte të bëje si donte ai. Ne që e jetuam atë kohë e dinim fare mirë. Për të botuar ‘Dhiatën e vjetër’ më është dashur të lidhem me Dritëro Agollin që ishte në Komitetin Qendror që të lejohej të botohej sepse kishte disa skena. Deri këtu shkonte puna”.
BOTIMI
Në libër vërtetohet se “Historia e letërsisë” kishte shkuar deri në shtyp. Autorja shkruan se zbulimi i recensionit të Nasho Jorgaqit vjen si dëshmi se dorëshkrimi i ‘Historisë së letërsisë shqipe’ qe bërë gati. “Në intervistën me profesor Jorgo Bulon të zhvilluar në mars të vitit 2015, sa i përket projektit për ‘Historinë e letërsisë shqipe’, ai thotë: Projekti ka qenë për një ‘Histori të letërsisë” në tri vëllime. Vëllimi i tretë ishte letërsia midis dy luftërave 1912-1939. Ky vëllim hyri në shtyp në vitin 1967 ose 1968. Unë kam parë me sytë e mi bocat, domethënë atëherë shtypshkronja punonte me boca, nuk punonin shtypshkronjat me plumb. Erdhën bocat në institut për të bërë korrekturën e fundit”. Sipas Hoxha-Beqirit, kjo dëshmon se dorëshkrimi që kemi në dorë ishte i gatshëm dhe hyri në shtyp për t’u botuar.
Megjithatë, studimi tregon se procesi i botimit të këtij dorëshkrimi përfundoi në fazën e botimit, për të mos u përmendur si ekzistues as në atë kohë e as pothuajse gjysmë shekulli më vonë. “Arsyen e ndalimit, duke mos gjetur dokument zyrtar në arkivin ku është gjetur dorëshkrimi, na e jep vetë profesor Bulo: ‘Mirëpo, jemi në vitin 1968. Ka filluar lëvizja për revolucionarizimin e shkollës, lëvizja kundër fesë dhe kundër besimeve fetare. Në këtë vëllim të tretë ishin përfshirë shkrimtarë si Fishta, Konica … Dhe botimi i tij u ndalua”.
NDALIMI
Sipas studiueses, një dorëshkrim ku kemi Fishtën shkrimtar, por edhe përfaqësues fetar, që zinte një hapësirë prej dyzetë faqesh, Prennushin, gjithashtu, si dhe nga këndvështrimi i përfshirjes së shkrimtarëve si Skiroi dhe Fishta, personalitete dhe shkrimtarë, të cilët kishin pasur pikëpamje dhe qëndrim plotësisht tjetër nga ai i qeverisjes komuniste, nuk ishte i çuditshëm fakti për këtë ndalim. Por, interesant është fakti që ky dorëshkrim kishte arritur deri në këtë fazë dhe deri në këtë kohë.
Shkrimtarët kompleksë të dorëshkrimit duhet të kenë qenë pjesë e diskutimeve, pasi redaksia e “Historisë së letërsisë” 1912-1939, para përfundimit dhe përgatitjes së dorëshkrimit për shtyp, kishte kërkuar që: “-Redaksia kërkon veçanërisht të dëgjojë opinionin e diskutuesve mbi disa autorë kompleksë të periudhës 1912-1939, midis të cilëve më të rëndësishmit janë: Gj. Fishta, F. Konica, Z. Skiroi. Po edhe për autorë si V. Prennushi, K. Floqi etj. Këta autorë janë akoma fare pak të studiuar ndër ne dhe paraqesin një sërë vështirësish objektive në trajtimin e tyre – për t’u dhënë vendin që u përket në historinë e letërsisë, për të zbuluar kontradiktat e veprave të tyre, për të vënë mirë në pah ç’kanë ata pozitive apo negative”.
Studiuesja Hoxha-Beqiri thotë se në recensionin e Nasho Jorgaqit të vitit 1965, megjithëse në titull kemi periudhën 1912-1944, vërejtjet kanë të bëjnë plotësisht me dorëshkrimin e përmendur. Këtu jepen vërejtje dhe sugjerime për Fishtën, Skiroin, por edhe këshillohet që të përfshihen vepra dhe autorë të caktuar si Lumo Skëndo, një shkrimtar tjetër që nuk e zuri vendin e merituar në shkrimet e “Historisë së Letërsisë”.
KRITIKAT
Autorja e studimit “Një histori letërsie e ndaluar” ka renditur disa prej kritikave që u bëheshin autorëve të “Historisë së Letërsisë” që nuk u botua, por që atë kohë nuk ishte në proces. Sipas studiueses, dorëshkrimet thonë se vërejtjet e kohës për autorët ishin si vijojnë më poshtë:
-Kërkohet të potencohen lëshimet e tij në mbledhjen e vjershave të Zef Serembes; për t’u ndalur me sugjerime për Skiroin që shpjegohet kontradikta në mes të veprave me frymë anti-italiane dhe qëndrimit të autorit si vegël e politikës së imperializmit italian.
– Për kapitujt për Faik Konicën dhe Gjergj Fishtën kemi një varg vërejtjesh. Për shkak të rëndësisë për këtë temë, jepen në tërësi:
– Të dalin më gjerë e më qartë meritat e librit të Konicës “Shqipëria – kopsht shkëmbor…”
– Nuk besoj që “Dr. Gjilpëra”, në kohën kur u shkrua e u botua të ketë kontribuar në popullaritetin e Shqipërisë e sapo dalë nga robëria shekullore.
– Të shikohet që Konica veprat që përktheu nuk i zgjodhi, duke u nisur nga vlera e tyre edukative dhe nevojat e shoqërisë shqiptare.
– Gjuha, veçantitë e stilit të tij mund të jepen më mirë. Ndërkaq, për Gjergj Fishtën janë disa sugjerime:
– Ky kapitull ka pësuar përmirësime pas ripunimit të parë. Janë evituar kontradiktat që vihen re më parë, pasaktësirat, ekuivoket. Tashti jepet një ide më e qartë e më e gjerë.
– Nga një shfletim që i kam bërë “Hyllit të Dritës” nuk më rezulton që pjesa më e madhe e shkrimeve të “Hyllit të Dritës” i takojnë pendës së Fishtës.
– Mesa di unë, Fishta nuk i pat botuar artikujt profashizmit në Shqipëri, por mund të shtohet ky fakt për të treguar se si druhej opinionit në atdhe.
– Flitet për një “stil burrëror” e një “gjuhë mashkull”. A mund të përdoren këto si terma? Të paktën, në teorinë e re të letërsisë nuk figurojnë si terma.
– Të flitet më shumë për dramat e Fishtës, sidomos kur dramaturgjia e jonë e asaj kohe ishte e varfër.
– Të përcaktohen: Imperializmi austro-hungarez apo austriak.
– Për Ali Asllanin kërkohen të ceken qëndrimet e tij anti-italian.
– Sa i përket kapitullit për Nolin, sugjerohet që biografia e tij të ilustrohet me citate nga ‘Autobiografia e botuar’; citate nga letrat dërguar Th.Tashkos mbi përshtypjet e këqija të Nolit që i lë Amerika; të ceken qëndrimet mospajtuese ndaj ballistëve si dhe të përmendet si vepër e re “Autobiografia” në gjuhën angleze.
– Poradeci, sipas këtij recensioni, nuk analizohet sa duhet, sidomos veçoritë e tij si poet. Kërkohen të argumentohen me qartë të metat e poezisë së tij, si dhe zgjerohet paragrafi ku paraqet Lasgushin përkthyes.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
