Komisioneri Oliver Várhelyi i përgjigjet me një letër kryetarit të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në lidhje me Portin e Durrësit dhe Durrës Marina Bay and Yacht që do të ndërtohet nga kompania “Symphonie real” me një vlerë prej 2 mld euro.

Komisioneri i Zgjerimit, Várhelyi, ka pohuar shqetësimin që Komisioni Europian ka në lidhje me zbatimin e MSA dhe standardeve të Bashkimit Europian. Në letër theksohet se “kur vjen fjala tek marrëveshjet ndërshtetërore me vendet e treta, pozicioni i BE është i qartë dhe ka qenë përherë i tillë, përfshirë edhe në Këshillin e Fundit të Stabilizim Asoocimit që u mbajt në Mars 2021 mes Shqipërisë dhe BE.”

Letra thekson se të gjitha prokurimet apo koncesionet, përfshirë dhe marrëveshjet mes shteteve apo palëve të treta duhet të ngrihen mbi parimet e transparencës, garës, trajtimit të barabartë dhe jo diskriminimit.

Whatsapp Image 2023 01 27 At 10.00.12
Whatsapp Image 2023 01 27 At 10.00.12

Sipas PD, në garën për projektin e madh 2 mld euro qeveria shqiptare as ka hapur një garë ndërkombëtare dhe nuk ka respektuar asnjë nga parimet e MSA. Gjatë debatit të gjatë publik në parlament PD akuzoi qeverinë se e kishte paracaktuar fituesin dhe se nuk kishte ndjekur asnjë nga rregullat dhe pikat e përcaktuara në parimet e MSA për një konkurim të ndershëm dhe barabartë mes kompanive, duke e paracaktuar fituesin.

Më tej Komisioneri Várhelyi argumentoi se Komisioni është në konsultime të vazhdueshme me qeverinë shqiptare. Ai theksoi se Komisioni Europian ka anuluar grantin e mbetur nga WBIF (Fondet Ndërkombëtare për Ballkanin Perëndimor) në lidhje me portin e Durrësit. Kështu duke pohuar atë që Partisë Demokratike deklaroi më herët se Bashkimi Europian ka anuluar fondin për Portin e Durrësit.

Çështja e konkurrencës ka qenë një pikë kyçe që është ngritur nga Partia Demokratike gjatë debatit mbi Portin e Durrësit. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Alibeaj, iu drejtua me një letër të hapur komisionierit të zgjerimit Várhelyi në lidhje me mungesën e garës për ndërtimin e të ashtuquajturës “Durrës Marina Yacht Project”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb