NGA FATMIRA NIKOLLI*
Një rrëfim për atin nga i biri. “Im atë Sterjo” titullohet libri i Ilinden Spasses kushtuar shkrimtarit Sterjo Spasse me logon e UETpress si pjesë e “SCRIPTA MANENT”. Në libër tregohet jeta e shkrimtarit nga fëmijëria, rinia, jeta gjatë luftës dhe pas saj, koha në Moskë, familja, miqësia me Mitrush Kutelin dhe jo vetëm. Janë përdorur për shkrimin e këtij libri pjesë shënimesh, ditarësh dhe letra që Spasse u ka dërguar miqve të tij shkrimtarë, ose e kundërta. Emra të njohur si Petro Marko, Mitrush Kuteli, Ismail Kadare etj, etj përmenden dhe rrëfehen në libër, në biseda e takime të lirshme.
TAKIMI ME QEMAL STAFËN
Në fillimet e librit rrëfehet një takim i Spasses me Qemal Stafën. Ilindeni shkruan se një ditë Sterjoja u kthye më përpara në shtëpi. Papritur, brenda gjen Kristo Themelkon me katër të tjerë të rinj. Mbetën për një copë herë të ngrirë të tërë.
– “Më dërgoi Koloja për të marrë… – tha nëpër dhëmbë i skuqur Kristoja. Pastaj shtoi me të shpejtë: – Njiheni, ky është Sterjo Spasse, shkrimtar dhe mik i ngushtë i dajës – u tha atyre – ndërsa këta janë shokë të mi: Qemal Stafa, Vasil Shanto, Xhezmi Delli dhe Vojo Kushi. Sterjoja e toku me ta: Ju dy të parët ju njoh, jua kam dëgjuar zërin në gjyqin e Shkodrës, ndërsa ju të tjerët… – tha Sterjoja.
– Ne të njohim, të njohim mirë nga “Pse-ja?” – ia bënë ata njëzëri. Ndërsa Qemali vazhdoi – Unë t’i kam lexuar të tërë shkrimet që ke botuar, që nga fillimi. Ti je proletar. Të tillë shkrimtarë si ty duam ne, që të shkruash për popullin… Kështu do të jeni të nderuar edhe nga populli. Sterjoja kishte dëshirë të kuvendonte me këta djem, që zërin ua kishte dëgjuar me kohë, por, e pa se s’ishte as koha e as vendi, se ishte i tepërt në atë mjedis”.
VARFËRIA
Nuk lihet pas as gjendja ekonomike e familjes Spasse në Tiranë. Ilindeni e ka treguar atë me një fragment shumë të thjeshtë. “Mamaja iu lut babait, që të shkonte në fshat e të takohej edhe një herë me nënën e vëllain, të puthte edhe nipërit e saj. – Ti e shikon, Sterjovicë, se në ç’gjendje ekonomike jemi, – tha ai – ti i shikon rrugët sa të vështira janë… Përditë aksidente… Mot, pasi ta marrim veten pak, do të të dërgoj në Jugosllavi e t’i shohësh vetë se si janë rregulluar”. Spasse i ri tregon se pas kësaj e ëma heshti duke mos e përmendur më këtë çështje.
“Ajo e shikonte gjendjen tonë ekonomike: Katërqind gramë bukë, merrnim për njeri në atë kohë. Shpesh ajo më merrte me vete dhe mblidhnim hithra nëpër fushat e Tiranës për të bërë byrek… Gëzim i papërshkruar për ne ishte ajo ditë, kur na erdhi nga fshati xha Donia e na solli një berr të pjekur në hell. Unë s’i ndahesha nga qafa, po ashtu edhe Dita. Mamaja fluturonte nga gëzimi. Atë natë hëngrëm shumë mish. Në tavolinë seç bisedonte me babain për një reformë, reformë agrare, e tani që kishin ikur më tepër se gjysma e fshatit, familjes së barba Spasses reforma u kishte dhënë 80 dynymë tokë”.
FRIKA E PËRHERSHME
Ndërsa rrëfehet arrestimi i Kutelit, një ndër miqtë më të mirë të Spasses, Ilindeni e kujton kështu: “Pas disa ditësh Efterpi vjen në shtëpi e alarmuar! – Mbrëmë, vonë, natën, në t’errët erdhën dhe e morën Dhimitrin, – tha ajo me zë të dredhur dhe ra në krahët e babait. Babai u zverdh në fytyrë. Goja iu zu. Edhe sytë e tij filluan të rigojnë. Mamaja u shushat. Unë dhe Dita qëndruam mënjanë”. Ilinden Spasse e kujton “xhaxhi Mitrushin” si mikun e të et’ që e merrte shëtitje me biçikletë, që i jepte akullore nëpër dyqane.
“Ishte në burg, si xhaxhi Vaska!’ Dita ma bënte me shenjë që të heshtja… Atë ditë, Mitrushi ishte grindur keq në zyrën e eprorit të tij ku ishin dhe disa këshilltarë të huaj. Kishte arritur puna deri atje, sa ai jo vetëm nuk firmosi, po e kishte flakur dosjen tutje dhe kish ikur i xhindosur nëpër korridoret e Bankës duke bërtitur: – Këtu ka tradhti! Këtu ka tradhti! Duket, merimanga e padukshme, që ishte më “patriote” se ai, e dëgjoi dhe në darkë, vonë, në t’errët… Pasi iku Efterpi, erdhën të alarmuar Nonda dhe Nexhati, e bashkë me Kolon e babain u ngjitën në dhomën e pritjes e atje seç çuçuritën disa orë të tëra. Unë e Dita dëgjuam emrin e një farë Koçi Xoxi..”
Ilindeni tregon më tutje se në darkë, vonë, kur ranë për të fjetur, dëgjuan Sterjo Spassen ti thoshte së shoqes: – Kanë futur brenda edhe Petro Markon, Andrea Varfin dhe Mustafa Greblleshin.”..
Ai kujton se frika e dënimeve ishte ngado. megjithatë, “fill pas Kongresit të I të Partisë Komuniste Shqiptare. Lufta e tmerrshme kundër intelektualëve u tulat. Sterjoja, Odise Paskali, Nonda Bulka kishin shpëtuar në fije të perit. Sipas Petro Markos, që më tha vite më vonë, të tre këta ishin në listën e zezë…” sipas tij, çoroditja që kishte ndodhur në Komitetin Qendror midis dy rrymave: Pro jugosllave e kundra, u reflektua dukshëm në masën e intelektualëve të Shqipërisë.
NJË LETËR NGA MITRUSHI
Është një letër që Mitrush Kuteli i ka dërguar Sterjo Spasses ku kuptohet shumëçka: Gjendja shpirtërore e Mitrushit, çfarë thuhej për Spassen, situata mes shkrimtarëve, e jo vetëm. Vijon më poshtë:
“… Dua të flas për një çështje për të cilën nuk kemi biseduar kurrë as me gojë, as me shkrim. Ti e di parimin tim: Hallvaxhinjtë nuk flasin për hallvë, bile nuk hanë hallvë, po gjëra të kripura, të tharta, ndonjë kërnac, ndonjë turshi. Ashtu edhe ne të dy. Ti je shkrimtar, unë jam ish-shkrimtar, njeri i rënë nga dynjallëku, po sidoqoftë kemi miqësi të mirë dhe nuk flasim kurrë për shkrime. Më fal se këtë radhë po bëj një përjashtim – të parin, ndofta të fundit. Këtë po e bëj vetëm e vetëm të të heq një brengë që ndofta të ka pllakosur e të ka bërë të vuash. Mua s’më pëlqen të vuajnë miqtë.
Dëgjomë:
Ti ke shkruar një roman të ri. Pra doli ajo fjala e Pandit tim që të pyeti vjet: xhaxhi Sterjo, kur do të bësh një roman? Për këtë vepër unë pata dëgjuar plot fjalë të mira. Fitove dhe çmimin e 15-vjetorit të çlirimit. Ky është një gëzim i madh për ata që të duan me gjithë zemër. Këtë roman s’e kam kënduar, me përjashtim të dy fragmenteve të botuara në gazetë.
Si mu duk? Është zor të japësh një gjykim mbi një tërësi, kur s’njeh veçse një pjesë të kësaj tërësie. Sidoqoftë edhe kjo pjesë e vogël, mu duk e rrjedhshme. Problemet ishin shtruar mirë e zgjidhur mirë. Është e vërtetë se aty – këtu kish ndonjë të metë stilistike, po kjo nuk peshonte aq shumë sa të prishte vlerën e veprës. Siç të thashë, pata dëgjuar fjalë të mira për këtë shkrim. I pari që më foli ka qenë Sotir Caci. Më tha: “Hyrja shumë e mirë, stili i rrjedhshëm, ngjarjet të gjalla”. Ky ka qenë opinioni i të gjithëve deri në dhjetor. Pastaj ç’ndodhi? Të kritikuan në një mbledhje shkrimtarësh por s’duhet të jesh i pikëlluar, aq më shumë se kritika u bë në mungesë. Nga larg njeriut mund t’i duken të mëdha edhe gjërat më të vogla sepse mund të punojë subjektivizmi që zmadhon dhe zvogëlon. Prandaj, po të shkruaj këtë letër, duke hapur një muhabet që s’e kemi prekur kurrë as me gojë, as me shkrim.
Ti e di nga përvoja jote se jeta nuk është shtruar gjithnjë me trëndafila, përkundrazi – rruga e saj ka më shumë gjemba se sa trëndafila. Pra, ty nuk duhet të të tronditë shumë kjo gjë. Kjo është, si të them, një në dorë. Ti e di mirë se kritika, kur niset nga një qëllim i mirë, dua të them kritika pozitive, na bën mirë, na ndihmon të shohim atë që ne vetë nuk e vëmë re. Çdo vepër përbëhet nga dy faktorë kryesorë: Nga brendia dhe nga trajta. Domosdo, brendia zë vendin e parë. Mesa kam dëgjuar, vepra jote nuk çalon nga kjo pikëpamje. Pra, përmbajtja është e mirë, e shëndoshë. Kjo gjë duhet të të gëzojë. Mbetet tani pjesë e dytë: Ajo e trajtës. Por kjo përbëhet nga shumë pjesë: Kompozim, stil, gjuhë.
Mesa kam dëgjuar, kritika ka prekur, sidomos anën e gjuhës. Nuk them se është mirë, po nga ana tjetër s’është thagmë e madhe. Punë që ndreqet. Mendja më thotë se ti je ngutur disi, nuk i ke dhënë mirë dorën e fundit. Po kjo nuk do të thotë se duhet të dëshpërohesh. Do të punosh ca më shumë për të ngritur vlerën e trajtës në nivelin e asaj të përmbajtjes. Ti e di se puna e mirë kërkon kohë, përpjekje të shumta.
Pra, meqë dora-dorës je larg dhe ke nevojë për qetësi që të vazhdosh dhe përfundosh studimet, të këshilloj të mos e vrasësh mendjen”.
FLETËRRUFETË- “TË GJITHË IKIN”
Ilinden Spasse tregon situatën në kohën që Shqipëria prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Ishte koha e fletërrufeve dhe e ikjeve të grave ruse. Ilinden Spasse shkruan se atë kohë Mustafa Greblleshit një fletërrufe e madhe në mes të Tiranës, Selman Rizës një e tillë e madhe në fakultet, Mustafai buzëqesh duke zbardhur dhëmbët rruaza të bardha, Selman Riza buzëqesh. Nuk bëjnë autokritikë.
Ndërkohë, bëhet një mbledhje e madhe në Ndërmarrjen e Botimeve, ku kritikohet rëndë Mitrush Kuteli për një përkthim. Ai nxjerr një fletë të bardhë e me kokën ulur, duke buzëqeshur e nënqeshur, shkruan. Rrëfimi i tij më tutje: Ky do të përgjigjet, do të bëjë autokritikë…
Kaluan në diskutime. Kush e shau, kush e lavdëroi. Ky vazhdonte të shkruante. Sotir Caci zgjati kokën për t’i pëshpëritur në vesh, që të ngrihej se po mbaronte mbledhja, kur shikon në fletën e bardhë skica priftërinjsh me çallma dhe mjekra, si ato që më vizatonte mua, kur isha i sëmurë. Sotir Caci qeshi me vete. Nuk i tha asnjë fjalë Mitrushit. Mbledhja mbaroi… ç’bëhet kështu? Kush u dha të drejtën atyre të shkruajnë përsëri? Kush? T’u hiqet e drejta e botimit… Në një moment të tillë shpirtëror, Mustafai i dogji romanet e tij, përkthimet, tërë dokumentet e pabotuara… Ç’bëhet kështu? Duhet ta forcojmë luftën e klasës!
Edhe gratë e huaja, që janë “spiune” të revizionistëve, kapitalistëve, social-imperialistëve e istëve të tjerë, jashtë nga Shqipëria. E duam vendin e pastër… Filluan të ikin gratë me fëmijët, dukë lënë burrat vetëm… të liruar nga molepsia e këtyre istëve… Iku e shoqja e Dritëroit me gjithë djalë, e shoqja e Dalanit, iku Nina dhe Irena që i kish shoqëruar Sterjoja si “krushk” me aeroplan nga Moska në Tiranë; Ikën e ikën e sa të tjera nga nëna Bashkimi Sovjetik, që na doli “Kurvë” dhe nga motrat fqinje më të vogla, që na dolën “Kurvica”, duke lënë prapa lot në familje, lot në aeroport…
(m.k/GSH/BalkanWeb)
