Komisioni Europian në një përgjigje drejtuar anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD, Lisandër Hoxha sa i takon përputhshmërisë së ligjit për investimet strategjike me standardet e BE, thekson se po shqyrton zbatimin e kësaj nisme.
Pyetja i është drejtuar kabinetit të Komisioneres për Zgjerimin e BE, Marta Kos dhe cek shqetësimet e opozitës për ligjin si instrument, sipas saj, për të grabitur pasuritë publike nga qeveria dhe segmentet pranë saj.
“Ju lutem vini re se ne vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me autoritetet shqiptare për t’i ndihmuar ata të sigurojnë përputhshmërinë e legjislacionit kombëtar me acquis të BE-së në kontekstin e negociatave të anëtarësimit. Në këtë drejtim, do të marrim parasysh edhe zbatimin e ligjit për investimet strategjike që përmendët”, thuhet në përgjigjen që Komisioni Europian i ka kthyer Hoxhës përmes drejtores për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore, Sigrid Brettel.
Nga ana e tij, demokrati kërkon ndryshim të menjëhershëm të ligjit, duke e cilësuar atë si mjet klientelist për pasurimin e një grupi të vogël.
Në reagimin e tij, Lisandër Hoxha falenderon Komisionin për përgjigjen dhe shton se ligji është i papërputhshëm me aktet komunitare të BE-së.
Sipas Hoxhës, ligji është shndërruar në mjet për pasurimin e një grupi të vogël njerëzish pranë qeverisë, duke shkatërruar konkurrencën dhe duke dhënë prona publike pa garë, një praktikë që nuk zbatohet në vendet e BE-së.
Hoxha kërkon që ligji të ndryshohet tërësisht dhe të përafruar me standardet e Bashkimit Evropian, duke e konsideruar mos-përputhshmërinë me acquis-in si një shans për Komisionin që t’i kërkojë Shqipërisë ndryshime të menjëhershme.
Letra e Komisionit Europian
Komisioni Evropian
DREJTORIA E PËRGJITHSHME PËR ZGJERIMIN DHE FQINJËSINË LINDORE
B – Ballkani Perëndimor
B.3 – Shqipëria, Maqedonia e Veriut
Bruksel
I nderuar z. Hoxha,
Faleminderit për emailin tuaj të datës 24 Shtator, drejtuar Komisionerit Kos, në të cilin ngritët shqetësime në lidhje me Ligjin shqiptar nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike” dhe mosrespektimin e pretenduar të këtij ligji me standardet e BE-së në disa fusha. Më është kërkuar të përgjigjem në emër të tij.
Ju lutem vini re se ne vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me autoritetet shqiptare për t’i ndihmuar ata të sigurojnë përputhshmërinë e legjislacionit kombëtar me acquis të BE-së në kontekstin e negociatave të anëtarësimit. Në këtë drejtim, do të marrim parasysh edhe zbatimin e ligjit për investimet strategjike që përmendët.
Shpresoj që kjo informacion të jetë i dobishëm.
Me respekt,
Sigrid BRETTEL
Drejtore Njësie

Reagimi i Lisandër Hoxhës
Falenderim për Komisionin Europian
Faleminderit, Komisionit Europian, për përgjigjen zyrtare lidhur me aplikimin e Ligjit nr. 55/2015 “Për investitorin strategjik”, një ligj i cili është tërësisht klientelist dhe nuk përputhet askund me aktet komunitare të Bashkimit Europian.
Të dashur miq, pas interesimit tim pranë kabinetit të Komisioneres Marta Kos për procesin e përafrimit të ligjeve shqiptare me ato të Bashkimit Europian, ngrita shqetësimin për efektet e këtij ligji dhe mungesën e transparencës në zbatimin e tij. Ky ligj është shndërruar në një mjet për pasurimin e një grupi të vogël njerëzish pranë qeverisë, duke vrarë përfundimisht konkurrencën në vend.
Ky ligj u siguron përfituesve të tij prona publike pa garë, çka është tërësisht e papranueshme për një shtet të së drejtës. Një standard i tillë nuk aplikohet në asnjë vend të Bashkimit Europian. Në vendet demokratike, asetet publike jepen vetëm përmes një procesi transparent dhe me garë publike, ku garantohet interesi i qytetarëve.
Ligji nr. 55/2015 është përdorur për të favorizuar njerëz pranë Kryeministrit Rama, të cilët pa garë dhe me avantazhe të shumta fiskale kanë përfituar kontrata zhvillimi dhe shfrytëzimi të pasurive më të vlefshme të vendit tonë. Investitorët zgjidhen nga nëpunës të shtetit dhe përfitues bëhen vetëm disa prej tyre, ndërsa të tjerët mbeten në kushte të pa barabarta konkurrimi dhe investimi.
Ky ligj ka qenë një gangrenë për ekonominë e dobët të vendit tonë. Ai duhet ndryshuar tërësisht dhe përafruar me standardet e Bashkimit Europian, si e vetmja mënyrë për të rikthyer besimin dhe drejtësinë në treg.
Mospërputhshmëria e tij me aktet komunitare është një mundësi e mirë që Bashkimi Europian t’i kërkojë Shqipërisë ndryshimin e menjëhershëm të këtij ligji, duke i hequr kështu Ramastanit një mjet për të vjedhur me ligj pasuritë publike.
