Avenir Peka, i ftuar në studion e emisionit “Oponencë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike dhe lëvizjet e reja në radhët e opozitës. Prej disa ditësh, një grup eksponentësh demokratë ndër më të votuarit në primare dhe listat e hapura, mes tyre Ervin Salianji, Ilir Alimehmeti, Aulon Kalaja, kanë nisur takimet me qytetarë dhe strukturat e PD-së në disa zona të vendit.
Peka vlerësoi se kjo lëvizje vjen si pasojë e pakënaqësive të akumuluara në bazën demokrate, por sipas tij, situata aktuale politike përbën një moment të rëndësishëm që PD duhet ta shfrytëzojë.
“Sot duhet të kthehemi te vetja dhe ta bëjmë PD një ofertë për atë që mund të ndodhë në muajt në vijim. PD ka shansin ta kapë situatën në dorë, por nëse nuk e zgjat dorën, nuk e merr dot,” deklaroi ai.
Peka paralajmëroi se kriza qeveritare e muajve të ardhshëm mund të krijojë hapësira të reja politike që opozita duhet t’i kapitalizojë.
“Nëse PD nuk sheh nga vetja dhe nuk bëhet ofertë për shqiptarët, nuk kap mundësinë që sjell kriza e qeverisë. Kjo është një mundësi e artë. Çdo parti opozitare duhet ta shfrytëzojë dhe besoj se PD do ta shfrytëzojë.”
Peka e cilësoi ringjalljen e energjive brenda PD-së si një zhvillim të mirëpritur, duke thënë se çdo lëvizje dhe aktivitet politik tregon vitalitetin e partisë.
“Ringjallja, dinamizmi brenda PD-së nuk ka asgjë të keqe. E vetmja e keqe mund të jetë kaosi që mund të krijohet, por këtu i takon lidershipit të kanalizojë energjitë që PD të dalë si ofertë e vërtetë.”
Në mbyllje, ai theksoi se përgjegjësia kryesore bie mbi drejtuesit e PD-së, të cilët duhet të menaxhojnë lëvizjet e reja, pritshmëritë e demokratëve dhe mundësitë politike që ofron situata aktuale, me qëllim që partia të prezantohet si alternativa reale për shqiptarët.
