Ndryshime të rëndësishme janë bërë në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Skënder Hita.
Sipas vendimeve të fundit, janë lëvizur disa zëvendësdrejtorë në drejtoritë vendore të policisë, duke prekur kryesisht Tiranën, por edhe qarqe të tjera si Shkodra, Lezha dhe Fieri.
Besmir Dervishi është larguar nga detyra si zëvendësdrejtor në Tiranë dhe është emëruar shef i krimeve në Kukës. Në vend të tij është caktuar Oliger Torba, i cili më parë mbante postin e zëvendësdrejtorit në Fier.
Ndërkohë, Hita ka emëruar Alban Dautaj në krye të Drejtorisë Operacionale, detyrë të cilën ai e merr pasi më herët drejtonte strukturën e Antiterrorit.
Në vijim të ndryshimeve, Ermal Kënaçi është larguar nga posti i shefit të Komisariatit nr. 2 në Tiranë dhe është transferuar në Kukës.
Po ashtu, Gent Ndoj, i cili mbante detyrën e Drejtorit për Hetimin e Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme, është transferuar në Dibër.
Ndërsa në krye të strukturës së Antiterrorit është emëruar Edmond Sula, duke zëvendësuar Alban Dautajn.
