Britania mbetet e tronditur nga sulmi në një sinagogë në Mançester, ku ditën e sotme dy persona humbën jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur. Autoritetet kanë marrë masa të rrepta sigurie rreth sinagogave dhe objekteve të tjera që kanë lidhje me Izraelin.

Zona e sulmit është ende e rrethuar dhe dëshmitarët okularë po japin informacione tronditëse për këtë ngjarje. Një dëshmitar me emrin Gareth, i cili po drejtonte një furgon shpërndarjeje afër vendit të ngjarjes, i tha BBC-së se pa një burrë që po gjakosej. Ai më pas pa një tjetër të shtrirë në tokë para një makine, ndërsa dëgjonte njerëzit duke bërtitur.

Gareth tregoi gjithashtu se pa një person me thikë duke goditur xhamin e një ndërtese, në përpjekje për të hyrë brenda.

“Brenda sekondave mbërriti policia, i dhanë disa paralajmërime, ai nuk dëgjoi dhe ata hapën zjarr”, tha Gareth, duke shtuar se personi me thikën ra në tokë, por u përpoq të ngrihej përsëri dhe policia e qëlloi sërish.

Një tjetër dëshmitar, Hurem Rafiq, që po kalonte me makinë, pa një person të dilte nga makina e tij me një thikë jashtë sinagogës.

“Në fillim mendova se ishte aksident dhe se shoferi kishte humbur kontrollin për ndonjë arsye”, tha Rafiq, drejtor i një kompanie teknologjike, 35 vjeç.

“Por më pas e pashë që doli nga makina dhe goditi me thikë një burrë që ishte shtrirë në tokë. Kjo ndodhi pikërisht jashtë sinagogës. Më pas hyri nga porta kryesore dhe goditi me thikë edhe dy burra të tjerë”, shtoi ai.

Sipas tij, agresori ishte i qetë, nuk bërtiste, nuk thërriste slogane fetare, dhe dukej robotik, sikur kishte një detyrë për të përmbushur.

“Hyrja e sinagogës ishte e mbyllur. E pashë teksa përpiqej të futej brenda. Njerëzit i hidhnin objekte si vazo, por askush nuk afrohej”, shtoi ai.

Ai zbuloi gjithashtu se rreth belit kishte një brez që dukej si rrip me eksplozivë, por nuk mund të konfirmonte nëse ishte i vërtetë apo thjesht për frikësim.

Fran Barry, 75 vjeçe, që jeton pranë vendngjarjes, tha se rreth orës 09:30 të mëngjesit dëgjoi një shpërthim të madh, të ndjekura nga katër zhurma të forta.

Fran dhe mikja e saj, Joyce Goldstone, u evakuuan nga ndërtesa ku jetonin. Gjatë evakuimit panë njësinë e çminimit të ushtrisë dhe një robot për çaktivizimin e bombave.

“Jam shumë e shqetësuar”, tha Joyce. “Kurrë nuk kemi pasur urrejtje në këtë zonë. Edhe kur kishte trazira në vend, këtu ishte gjithmonë qetë. Unë jam katolike, burri im është hebre, të gjithë kemi të njëjtat dhjetë urdhërime.”

Fran shtoi se “kjo nuk është diçka që ndodh në një shoqëri të civilizuar. Dhe nuk ndihmon asnjë kauzë.” Sipas burimeve policia nisi aksionin sot në mëngjes pas raportimeve se një makinë kishte hyrë në një turmë njerëzish dhe se një person ishte sulmuar me thikë.

Ngjarja ndodhi pranë sinagogës hebraike Heaton Park, në veri të Mançesterit, një zonë me komunitet të madh hebre, rreth 6 km larg nga qendra e qytetit. Sipas policisë, një person, që besohej të ishte autori u qëllua për vdekje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb