LEZHË

Lëvizte me automjet të blinduar dhe me armë zjarri me vete, vihet në pranga 23-vjeçari me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas me precedent kriminal po qarkullonte me armë zjarri në një automjet të blinduar, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Blindi”.

Në kuadër të këtij operacioni, në Shëngjin, Lezhë, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar mjetin e dyshuar dhe kanë vënë në pranga drejtuesin e tij, shtetasin Kevin Vuthaj, 23 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Benz”, në sendiljen e pasme, brenda një çante dore, shërbimet Policisë kanë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: