Në media flitet gjithnjë e më shumë se Barcelona e ka të vështirë të lëviz në tregun e transferimeve, në mungesë të theksuar fondesh, por në të njëjtën kohë me klubin blaugrana vijon të lidhen shumë emra. Robert Lewandowski mbetet një emër fiks, një lojtar që Xavi e kërkon me çdo kusht. Bayern Munich refuzoi ofertën e parë për sulmuesin polak, por sipas Bild, Barcelona i është përgjigjur me një ofertë të re prej 32 milionë euro, një shifër që i afrohet shumë asaj që klubi gjerman kërkon për Lewandowski.
Bayern kërkon që me parat e fituara nga shitja e Lewandowski ti xhirojë drejt Liverpool për të siguruar kartonin e Sadio Mane. Barcelona nuk e ka me nxitim pasi kanë marrë prej kohësh fjalën nga Leva, polakun e pret në “Camp Nou” një kontratë 2+1 dhe 12 milionë euro në sezon.
Në lidhje me mbrojtjen, Barcelona kërkon të lirohet nga paga e Pique ndërsa alternative mbeten Kounde i Sevilla dhe Koulibaly i Napolit, i cili gjithashtu pëlqehet edhe nga Juventus. Nga Barcelona pritet të largohet Dembele, në skadencë të kontratës më 30 qershor ndërsa vendin e tij mund ta marrë Di Maria.
(BalkanWeb)
