Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun Lezhë, Gjin Gjoni ka reaguar pas përmbytjeve të rënda që kanë prekur sërish zonat e Lezhës dhe Kurbinit, duke publikuar pamje dhe dëshmi të drejtpërdrejta të banorëve të prekur.
Gjoni shprehet se është e dhimbshme të shohësh familje që humbasin gjithçka brenda pak orësh, jo për shkak të reshjeve të papërballueshme të shiut, por si pasojë e babëzisë, korrupsionit dhe keqmenaxhimit të pushtetit. Sipas tij, situata përsëritet sa herë ka reshje, ndërsa ndërhyrjet e reklamuara si “antipërmbytje” rezultojnë vetëm propagandë.
“Janë shpenzuar miliarda lekë dhe janë trumbetuar me të madhe ndërhyrje që në realitet nuk ekzistojnë. Pamjet nga terreni flasin vetë”, – thekson deputeti demokrat.
Nga Zadrima, bregu i Matit në Lezhë e deri në Gjorm dhe Adriatik të Kurbinit, banorët ndihen të braktisur, pa ndihmë dhe mbështetje nga pushteti vendor dhe ai qendror. Në dëshmitë e tyre, qytetarët kërkojnë që organet e drejtësisë të veprojnë dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi ligjore.
Deputeti Gjoni nënvizon se është e papranueshme që kjo situatë të vazhdojë prej vitesh pa asnjë zgjidhje dhe pa asnjë përgjegjës. Ai garanton se do të ndjekë çështjen deri në fund, duke kërkuar vlerësim real të dëmeve dhe kompensim të plotë për banorët e prekur.
Reagimi i plotë deputetit Gjin Gjoni:
Është e dhimbshme të shohësh familje që kanë humbur mundin e tyre brenda pak orësh – jo sepse reshjet e shiut ishin te papërballueshme, por nga babëzia dhe korrupsioni i pushtetit.
Lezha dhe Kurbini po përballen edhe një herë brenda pak javësh me një situatë tepër të vështirë, e cila përsëritet sa herë ka reshje shiu, duke shkaktuar dëme të mëdha për banorët. Janë shpenzuar miliarda lekë dhe janë trumbetuar me të madhe të ashtuquajtura ndërhyrje antipërmbytje, por realiteti në terren flet vetë.
Nga Zadrima, bregu i Matit në Lezhë e deri në Gjorm dhe Adriatik të Kurbinit, banorët janë të braktisur, pa asnjë ndihmë dhe mbështetje nga pushteti vendor dhe ai qendror. Siç shprehen vetë banorët, ka ardhur koha që organet e drejtësisë të veprojnë dhe përgjegjësit të vihen para ligjit. Është e papranueshme që kjo situatë të vazhdojë dhe askush të mos mbajë përgjegjësi.
Nga ana ime, si deputet i qarkut Lezhë, do të kërkoj me këmbëngulje që dëmet të vlerësohen në mënyrë reale dhe banorët të kompensohen plotësisht.
