TIRANE– Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nisi sot një tur me takime me qytetarët e Lezhës, Shënkollit e Zadrimës. Basha tha se oferta dhe projekti politik i demokratëve për zgjedhjet që po vijnë, do të dalë pikërisht nga bashkëbisedimi me qytetarët.

“Kam nisur sot nga Lezha turin politik të radhës në Shqipëri për t’u takuar e ritakuar me njerëzit, për t’i pyetur, për t’i dëgjuar, për të prekur, njohur e vlerësuar sa më mirë dhe sa më drejt gjendjen ekonomike dhe shoqërore të vendit ashtu siç e jetojnë qytetarët në  familjet e tyre, në xhepat e tyre, në lëkurën e tyre; për të kolauduar sa më saktë misionin dhe pozicionin tonë aktiv si opozitë, për të shkëmbyer mendime, qëndrime, zgjidhje”, tha Basha.

Kryedemokrati theksoi se e vërteta e qeverisjes në vend është krejt tjetër nga ajo që propagandon qeveria.

“Përkeqësim, tkurrje, rrudhje, shtrydhje, rrokullisje, braktisje e detyrave si kurrë ndonjëherë, shpërfillje e njerëzve si asnjëherë, distancë  rekord, hendek  i paparë midis qeverisjes dhe qytetarëve, fyerje, dhunë, demagogji, korrupsion  gjithnjë e më galopant”, pohoi ai.

Kryetari i PD-së shtoi se pakënaqësia ndaj qeverisjes, revolta ndaj saj janë realiteti që preket kudo në Shqipëri.

“Kush janë këta njerëz të revoltuar me qeverinë e tyre. Janë pikë së pari komuniteti i madh i njerëzve në hall, në vështirësi, në nevojë, në rrethim, në mjerim, prindër, kryefamiljarë, studentë, pensionistë, të papunë, invalidë, të sëmurë, e tjerë e tjerë të cilëve  nuk u dalin në asnjë lloj  kombinimi llogaritë për të  jetuar e mbijetuar në sistemin e taksave  dhe tarifave të ngritura, të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, të rritjes së çmimit të ilaçeve, të mbylljes së vendeve të punës, të mungesës së investimeve që prodhojnë punë dhe zhvillim.  Janë qytetarët e lirë, sipërmarrësit e lirë, intelektualët me integritet që nuk kanë probleme me bukën e gojës, por  ndihen të fyer e të poshtëruar me një qeveri që i ka vënë kryqin transparencës dhe llogaridhënies, që vetëm kërkon të  marrë dhe të rrjepë nga qytetarët, duke mos u dhënë atyre në shkëmbim asgjë, as siguri, as zhvillim, as shërbim shëndetësor dinjitoz, as punë, as rritje rrogash e pensionesh”, u shpreh Basha.

Ai nënvizoi se koalicioni i partisë qe drejton vetëm është me qytetarët, duke deklaruar prerë se nuk do të ketë

asnjë koalicion për zgjedhjet vendore me dy “forcat e kalbura politike”.

Kreu i opozitës shtoi se “Po t’i bëjmë bashkë të dyja këto fasha të mëdha shoqërore do të shohim se praktikisht është shumica dërrmuese e qytetarëve të pakënaqur me qeverinë, përballë qeverisë, kundër qeverisë, në luftë me qeverinë”.

Basha u angazhua për platformë, për zgjidhje konkrete, për uljen e çmimit të energjisë, uljen e taksave, krijimin e vendeve të punës, dëmshpërblimin e shtëpive të prishura në kundërshtim me ligjin, me fondet që do krijohen nga sekuestrimi i pasurive të paligjshme të qeveritarëve.

“Alternativa jonë është puna, punësimi, zhvillimi. Ne jemi partia e taksave të ulëta, partia e iniciativës së lirë, partia e zhvillimit. Me ne zhvillimi do të zgjidhet nga laku i taksave të larta dhe shpenzimeve të luksit. Me ne zhvillimi do të niset më fuqishëm se kurrë. Edhe këtu në Lezhë. Do të rrisim ndjeshëm investimet për bujqësinë dhe  blegtorinë, do të rrisim ndjeshëm investimet për transportin ujor, peshkimin dhe industrinë  e peshkut, do të rrisim investimet për  turizmin.  Me ne do të  ketë një të ardhme të re.

Unë e shoh siç ju shoh ju. Ju e shihni, demokratët e shohin, gjithë shqiptarët mund ta shohin. Është Shqipëria jonë e dashur që  me  resurset e saj të mëdha na lejon të flasim për një të ardhme të re, që na mundëson të ndërtojmë një të ardhme të re për  të gjithë shqiptarët”, tha kryetari i Partisë Demokratike. Basha deklaroi se koha e qeverisë ka mbaruar, dhe demokratët e qytetarët e vendit do ta dëshmojnë në orën e votës që po afron, ora e 21 qershorit.

“Të bëhemi të gjithë bashkë kundër kësaj të keqeje që ka mbërthyer vendin”­ ka thënë Basha, duke premtuar se do të bëhet kompensimi për cdo dëmtim të pronës së qytetarëve që po bën qeveria mashtruese.
“Koalicioni yne do te jete vetem me qytetaret dhe dy gjysmat e kalbura të qeverisë nuk do të gjejnë bashkepunimin tone”­ ka thënë ai.

(d.b/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: