Shtëpia e Bardhë ka sqaruar se Libani nuk është pjesë e marrëveshjes së fundit të armëpushimit me Iranin, ndërsa nga ana tjetër ka transmetuar mesazhin e presidentit Donald Trump, i cili ka ashpërsuar tonet ndaj NATO-s.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, theksoi se Libani nuk është përfshirë në marrëveshjen e arritur një ditë më parë, duke shtuar se ky qëndrim u është komunikuar të gjitha palëve.

“Libani nuk është pjesë e armëpushimit”, deklaroi ajo, duke iu referuar edhe qëndrimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ka nënvizuar se Izraeli ka ende objektiva për të përmbushur.

E pyetur nëse administrata amerikane do të dëshironte përfshirjen e Libanit në armëpushim, Leavitt u shpreh se çështja mbetet e hapur për diskutim, por aktualisht nuk është pjesë e marrëveshjes.

Ndërkohë, në një tjetër zhvillim, Leavitt ndau edhe një mesazh të Trump mbi raportet me NATO-n, ku presidenti amerikan kritikoi aleancën për qëndrimin e saj të fundit.

“Është mjaft e trishtueshme që NATO i ktheu shpinën popullit amerikan gjatë gjashtë javëve të fundit. Është populli amerikan që ka financuar mbrojtjen e saj”, citoi ajo deklaratën e Trump.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump pritet të zhvillojë një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Uashington, ku pritet një diskutim i drejtpërdrejtë mbi marrëdhëniet brenda aleancës dhe sfidat aktuale të sigurisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb