Policia e Librazhdit, në bashkëpunim me DVP Elbasan, ka finalizuar operacionin e koduar “Partners in Crime”, i cili kishte në fokus goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes me dhunë. Tre persona kanë rënë në prangat e policisë, dy prej tyre për grabitje dhe një tjetër për përvetësim të sendeve të vjedhura.
Të arrestuarit janë:
-V. K., 32 vjeç, banues në Shkodër
-M. K., 33 vjeçe, banuese në Tiranë
-E. Sh., 40 vjeç, banues në Pogradec
Sipas hetimeve, më datë 25 dhe 27 korrik, V. K. dhe M. K., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer dy grabitje në fshatin Sheje, duke sulmuar fizikisht dy të moshuar dhe duke iu marrë me forcë sende personale dhe para.
Një 68-vjeçar dhe një 62-vjeçare u dhunuan gjatë vjedhjeve dhe pësuan dëmtime të lehta. Gruaja është trajtuar në spitalin e Librazhdit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Më pas, njëri nga celularët e vjedhur iu shit shtetasit E. Sh., i cili u arrestua për përvetësim të pasurisë së vjedhur.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi:
-4 celularë, mes tyre një i identifikuar si i vjedhur
-Çanta e marrë me dhunë
-Automjeti i përdorur nga autorët, marrë me qira
-Veshje dhe kapuçë të përdorur gjatë vjedhjeve
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për vijimin e hetimeve. Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të të arrestuarve dhe zbardhjen e rasteve të tjera të mundshme.
