Adrian Bylyku, drejtor i Shërbimit Gjeologjik në një lidhje live me News24 nga “Arrat e Gurrës” në Dragostunjë, ku ka pasur shembje masive të tokës e ku rruga ka dalë jashtë funksionit, ka treguar detaje nga terreni.

Bylyku theksoi se në këtë strukturë u krijua një formë hinke, dhe se nga pikëpamja historike kjo është një zonë me karakteristika të rrëshqitjeve. Ai shtoi se dhe fakti që prej kohësh ka pasur reshje shiu, ndikoi në ngjarjen në fjalë.

“Mund të them që nga pikëpamja historike kjo është një zonë me karakteristika të rrëshqitjeve. Nga pikëpamja e monitorimit në periudhat e fundit, Shërbimi Gjeologjik nuk ka qenë i përfshirë. E thashë që zona në fjalë është problematike sa i përket rrëshqitjeve dhe në fragmente të ndryshme këtu ka ndodhur. Shërbimi gjeologjik që nga ky moment ka nisur të përfshihet dhe sot po kërkojmë se si do të montojmë sondat e shpimit. Ne sapo kemi nisur nga pikëpamja gjeologjike dhe do bëjmë maksimumin për ato që na takon dhe në lidhje me pjesët e tjera gjëja është komplekse. Ka ndodhur një rrëshqitje sezonale e cila si çdo rrëshqitje që është fenomen i shpeshtë, ka disa shkaqe. Një rast i tillë elementi kryesor, është nga përbërja e tokës deri te pjesa e kontributit të reshjeve që kanë ndodhur në zonën e quajtur Arrat e Gurrës. Referuar të dhënave që kemi nga dhjetori 2025 deri tani në shkuar sasia e reshjeve ka qenë trefish në krahasim me 10 vitet e fundit. Pra janë një kompleks faktorësh, por kryesori mbetet mbingopja e strukturës, tha ai.

Gjithashtu Bylyku u shpreh se Shërbimi Gjeologjik nuk ka qenë i përfshirë në këtë projekt dhe se që nga ky moment ka nisur të përfshihet. Sherbimi Gjeologjik po kërkon se si të montohen sondat e shpimit, dhe po bën të gjitha vëzhgimet për të dhënë sa më shpejt rekomandimet e duhura.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: A ka ndikuar ndërtimi i Korridorit VIII në rrëshqitjen e tokës?

Adrian Bylyku: Në një rrëshqitje ndikojnë disa faktorë, por kryesori në këtë rast është uji. Faktorë të tjerë janë përbërja e tokës, apo ndërhyrjet që janë bërë. Të gjitha këto duhen marrë në konsideratë. Shërbimi Gjeologjik po bën vëzhgimet e nevojshme, dhe do të duhet ende kohë për të mbledhur të gjitha informacionet. Gjeologjia është një shkencë multidisiplinale dhe kërkon ekspertë të fushës. Padiskutim, ekspertë nga ARRSH dhe kompania ndërtuese janë prezent, dhe po shqyrtojmë të gjitha opsionet. Kryesore tani është të përcaktojmë situatën dhe të japim sa më shpejt rekomandimet e duhura.

Pyetje: A ka pasur sinjale paralajmëruese për rrezikun?

Adrian Bylyku: Nga pikëpamja historike, kjo është një zonë me karakteristika të rrëshqitjeve. Sa i përket monitorimit, Shërbimi Gjeologjik nuk ka qenë i përfshirë në periudhat e fundit. Zona ka qenë problematike dhe në fragmente të ndryshme ka pasur rrëshqitje më parë. Masat e sigurisë që po merren tani janë shumë të rëndësishme. Roli i shërbimit gjeologjik ka nisur tani; po planifikojmë vendosjen e sondave të shpimit dhe po kryejmë vëzhgimet e nevojshme. Do bëjmë maksimumin nga pikëpamja gjeologjike, ndërsa pjesët e tjera të çështjes janë komplekse.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb