LIBRAZHD- Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë që nga e diela në një pjesë të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë në rrethin e Librazhdit. Burime nga Shërbimi i Zjarrfikëses në vendin e ngjarjes bëjnë të ditur se “flakët e zjarrit kanë përfshirë një sipërfaqe prej disa hektarësh me bredh në zonën e Qarrishtës.

Banorët e zonës kanë parë flakët e zjarrit që kishte përfshirë masivin pyjor të Qarrishtës dhe menjëherë kanë lajmëruar edhe repartin e Zjarrfikëses në qytetin e Librazhdit.

Mësohet se për shuarjen e zjarrit kanë shkuar dy mjetet zjarrfikëse, si edhe banorë të zonës të cilët po bëjnë të mundur lokalizimin e flakëve, të cilat janë të favorizuara edhe nga era duke përhapur në një sipërfaqe të madhe të pyllit.

Aktualisht sipas inxhinier Fatmir Brazhda, shefi i Zonave Pyjore të Mbrojtura, po punohet për shuarjen e zjarrit, i cili deri në mëngjesin e kësaj të hëne ka shkrumbuar rreth 10 ha me bredha.

Paraprakisht dyshohet se zjarri i rënë në këtë zonë është i qëllimshëm, por do hetohet shkaku i vënies së zjarrit për të vënë para ligjit ata që duhet të mbajnë përgjegjësi.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb