Ish-deputeti Ben Blushi ka publikuar një pjesë nga libri i tij “41 sekrete”.

Bëhet fjalë për “sekretet” e aktorit të madh Robert Ndrenika, nga biseda me të cilin Blushi ka nënvizuar ndodhi gjatë xhirimit të filmave por jo vetëm.

Ndrenika i ka rrëfyer se ka punuar edhe si “ndriçues” në Kinostudio para se të bëhej aktor, pra mbante llampat e ndriçimit, punë të cilën e ka bërë edhe kur Shqipërinë e ka vizituar Nikita Hrushov.

Aktori ka zbulua detaje nga ngjarja e cila ishte shumë e madhe për kohën, duke treguar se Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu e puthën gjatë në buzë politikanin rus, aq sa ai u lodh dhe nuk i takoi më të tjerët që kishin dalë për ta mirëpritur.

Postimi i plotë:

Postimi i plotë:

ROBERT NDRENIKA, ME KAPELËN TIME
Robert Ndrenika është një nga 41 personazhet e librit tim “41 Sekrete”. Po e botoj në Facebook për gjithë ata që ndoshta nuk kanë patur mundësi ta blejnë librin.
Robert Ndrenika më çoi një sms. Në whatsaap.
More Ben Blushi… A mban mend që kemi parë në Kinostudio variantin e parë të filmit “Nxënësit e klasës sime” (ndërkohe ti do kesh qenë në klasë të shtatë apo të tetë)…? Mund të kemi qenë jo më shumë se 7-8 vetë. Ke qenë ti me prindërit dhe unë me time shoqe… A të ka mbetur ndonjë mbresë? Të përqafoj!
I shkrova që nuk e mbaj mend. Por takohemi që të ma kujtosh, i thashë. Të të bëj dhe një fotografi.
U takuam te Taiwani. Berti donte patjetër nga ana e shatërvanit. Nuk e di pse. Nuk e pyeta.
Ma trego, i thashë, si është historia e këtij filmi.
Mendova se do e mbaje mend, tha. Duhet të ketë qenë viti 1984. Sa vjeç ke qenë atëherë?
15, i thashë unë. Çudi si më kanë marrë prindërit me vete, sepse në atë kohë unë nuk isha shumë i dëgjueshëm.
Po tha Berti, ke qenë në sallën e Kinostudios dhe mezi prisje të mbaronte filmi dhe të ikje. Polikseni, ime shoqe dhe mësuesja jote, thoshte që je qibar. Domethënë, një njeri që nuk rri dot gjatë me njerëz të tjerë.
Të kam parë një herë në Korfuz, i thashë, po bëje pazar në mes të qytetit.
Edhe s’më fole, tha Berti.
Jo, i thashë, nuk të fola.
E shef që Polikseni kishte të drejtë? Je qibar. Nuk u flet njerëzve.
Ça u bë me filmin, i thashë unë.
Për atë film, babai yt ka marrë shumë kritika.
Po pse, i thashë, për çfarë u kritikua filmi?
Aty luaj unë me Mirush Kabashin. Unë jam sekretar partie dhe Mirushi drejtor shkolle. Unë i kërkoj që të ndryshojë notën e matematikës për djalin tim dhe Mirushi është servili im. Po unë me Mirushin kishim disa batuta që nuk u lejuan. Sepse ne sajonim shumë batuta me Mirushin. Domethënë dilnim nga skenari.
Më thuaj një batutë, i thashë.
Te filmi “Koncert në vitin ‘36”, edhe ai me skenar të babait tënd. Unë isha Prefekt, Mirushi ishte Shazivari, shefi i xhandarmërisë. Vjen ky Nesti Bënja.
I them Mirushit, ç’është ky Nesti Bënja?
Meqë Shazivarit i merrej goja, Mirushi thotë: ko ko ko..
Korçar, i thotë Prefekti.
Komunist, thotë Shazivari.
Këtë batutë s’mund ta ketë bërë babai im, i thashë, ai nuk tallej me korçarët.
Jo, tha Berti, këtë e sajova unë me Mirushin. Dhe na e hoqën. Sepse të gjithë drejtorët e Kinostudios ishin korçarë. Dhe sigurisht, komunistë. Si babai yt.
Kthehemi te filmi që kemi parë bashkë, ai me nxënës, i thashë.
Në atë shfaqjen që nuk e mban mend, ka ardhur Dritëro Agolli. Ishte çakërrqejf. Pas 20 minutash doli nga shfaqja duke bërtitur: Ky nuk është realiteti ynë. Si mundet një sekretar partie të ndryshojë notat e djalit në shkollë!
Unë kisha vënë edhe një kapelë në film, për të cilën më akuzuan se ishte si kapela e Enver Hoxhës. Me demek, unë po tallesha me Enverin.
Edhe, si ia bëtë, i thashë.
Babai yt i bëri disa ndryshime skenarit. Domethënë i hoqi disa batuta.
Po me kapelën e Enverit çfarë bëre?
Shkuam sërish në xhirime disa javë në Sarandë. Xhiruam nga fillimi të gjitha skenat. Pa kapelë.
Tani do të bëj një foto, i thashë.
Ja bëje këtu, tha Berti. Në tavolinë.
Nuk ka dritë, i thashë. Ti ke qene aktor, a ke xhiruar ndonjë skene pa ndriçim?
Ç’më tregon mua ndriçimin. Unë kam qenë ndriçues në Kinostudio para se të bëhesha aktor. Kam mbajtur llambat e ndriçimit kur ka ardhur Nikita Hrushovi në Tiranë.
Ou, i thashë, ma trego dhe këtë.
Kur Nikita Hrushovi erdhi në Tiranë, e pritën në sallën e madhe të Kryeministrisë. Një sallë me kolona. Enveri i doli përpara dhe e puthi në buzë. Pastaj e puthi në buzë edhe Mehmeti. Pasi u puthën shumë gjatë, Nikita u lodh dhe nuk i takoi të tjerët, por vetëm ua bëri me duar si një shenjë faljeje dhe tha allah, allah. Domethënë jeni myslimanë, nuk ju puth.
Si ishte Nikita, i thashë.
Buçko, tha Berti. A e njeh Nikita Hrushovin ti?
Po, i thashë. Është ai që i fali Krimenë Ukrainës, kur drejtonte Bashkimin Sovjetik. Ishte ukrainas vetë. Prandaj e fali.
Edhe si shkon kjo puna e Ukrainës, më tha Berti. Rusët dhe ukrainasit janë vëllezër, pse po vriten? Sa do vazhdojë kjo marrëzi?
Do vazhdojë, i thashë. Do vriten akoma, sepse Amerika po i jep armë Ukrainës dhe rusët po vrasin shumë civilë. Ishallah mbyllet shpejt, por s’e besoj.
Ç’e ke atë fjalë, tha Berti. Mos e thuaj më Ishallah.
Po ti nuk përdor fjalë turke?
Mundohem sa më pak, tha.
Po xhezves si i thua, e pyeta.
Eh, tha, nuk e di. Xhezve i them.
Berti kishte marrë një dekafeinato. Unë një lëng molle.
Dolëm nga Taiwani. I bëra disa shkrepje në lulishte. Afër një peme. Kishte diell. Dhe pak hije.
Ik tani, tha, më lër. Nuk i kam qejf fotot.
Ja, i thashë, do vij të të përcjell deri në anën tjetër të rrugës.
Jo jo, tha, Berti, më lër.
Prit, i thashë, ç’e ke këtë ngut, se mos ke ndonjë punë.
Ore ik, më tha, ku e di ti? Më lër se kam një takim.
Po çfarë takimi, i thashë. A thua se ke takim me ndonjë femër. Edhe po e pate, unë nuk i them njeriu. Polikseni dhe babai im nuk jetojnë më. Edhe të dua, nuk kam kujt t’i them.
E ç’më lodhe, ik tani po të them.
U futem në sheshin brenda shallvareve.
Ore, do ikësh apo jo?
Do iki, i thashë, po me një kusht.
Çfarë do, tha Berti.
Dua të bësh një foto me kapelën time.
Ma jep, tha. Enveri e kishte kapelën më të vogël. Por kokën e kishte më të madhe.
Më dha kapelën. Dhe iku.
Hera e parë që s’m’u duk si prefekt. M’u duk perfekt.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb