(Libri aotobiografik i piktorit Lezhjan Pashk Përvathi “Mjeshtër i Madh”).

Shumë herë ndodh që artistët nuk mjaftohen me mjetet e shprehjes së artit të tyre, por i drejtohen edhe fjalës, duke na afruar një mënyrë tjetër për të njohur e depërtuar më thellë në veprën e tyre dhe për ta kuptuar atë më në thelb dhe më të plotë. Megjithëse në Shqipëri, siç e citon vet autori, ende nuk është bërë traditë që krijuesit figurativë të shkruajnë për veten e tyre, ai guxon dhe e thyen këtë tabu. Pashku merr penën dhe fillon të rrëfejë e të hedh në libër jetën e tij. Dhe këtë e bën me një stil të thjeshtë dhe gjuhë të rrjedhëshme e të kuptushme.

Me modestinë që e karakterizon, paralajmëron lexuesin ‘’që në këtë libër mos prisni penën e shkrimtarit. Unë nuk di të shkruaj si ata’’, por në të vërtetë kur mbaron së lexuari këtë libër kupton se Përvathi, përveç talentit si piktor, zotëron dhe atë të shkrimtarit. Skema e librit është e thjeshtë. Është strukturuar në formën e kapitujve të vegjël ku piktori-shkrimtar rrëfen në vetën e parë gjithë ecurinë e tij artistike, që kur babai i tij pruri rastësisht në shtëpi një piktor dhe Pashku, fëmijë 7 vjeçar atëhere, pozoi për portretin e tij. Kjo ishte shkëndija e parë që ndezi brenda tij flakën e madhe, që më vonë do merte dhenë. Librit i paraprin me ‘’Dy fjalë’’një deklaratë shpirtërore në formën e një prologu. Në libër rrëfehen me emocion e natyrshmëri hapat e para të piktorit dhe rrugëtimi i tij i pandalshëm deri sot, i cili nuk ndalet vetëm brenda kufinjve të Shqipërisë por shkel dhe Italinë, Greqinë, Spanjën, Francën, Anglinë, Austrinë, Zvicrën, Amerikën e deri në Kinën e largët.

Unë, si bashkënxënës i tij në Shkollën e Kulturës, ndonëse një vit më i madh dhe në degë të ndryshme, e mbaj mend mjaft mirë si Pashkun dhe patriotin e tij Lezhjan Preçin. Ishin sikur i kishte lindur një nënë, pak të turpshëm sa u skuqeshin faqet kur u drejtoheshe. Ata përbënin modelin e nxënësit të mirë në mësim e në sjellje. Për talentin e Pashkut në vizatim flitej që atëhere koridoreve të shkollës si dhe për shokun e tij të klasës Jorgo Miçin, piktorin dhe profesorin e sotëm.

‘’Shkolla jonë na dha pak njohuri por më shumë na mundësoi një vëllazëri moshatarësh që nuk e haruam kurrë ‘’- shkruan Pashku duke ju referuar viteve të shkollës së Kulturës. Kjo thënie e tij më mallëngjen dhe emocionon se shpreh një të vërtetë të madhe. Më vjen mirë që ai përmend në libër mësuesit tanë të nderuar si drejtoreshën, mësuesen Izabela Koçin (që e kam pasur dhe unë mësuese kujdestare në maturë), nëndrejtor Harilla Muçkon, që kulturitët s’e heqin nga goja akoma dhe sot, si dhe Myzafer Dikën, Brunilda Malon, Zhaneta Panon, Idajet Çaçin etj. Gjithashtu, më vjen mirë që edhe pse ai është ngjitur sot në ‘’majat e larta’’ prap se prapë nuk i haron shokët e tij të klasës si Petrit Ahmetin, Kujtim Hykën, Agron Dingon, Jorgo Miçin, Polizoi Guxon etj. Ai bëhet inisiator dhe organizon takimin e parë me ta mbas 35 vitesh dhe kjo është në nder të tij.

Shkolla jonë ishte vërtet një fidanishte që i dha shumë talente Artit Shqiptar dhe që bënë emër në të gjitha degët si në muzikë, në pikturë dhe në artin dramatik. Janë aq shumë sa nuk është vendi që t’i përmendim këtu të gjithë, por njëkohësisht dua të theksoj me zemër të vrarë se ka pasur dhe të tjerë që nuk i patën mundësitë familjare, ekonomike, biografike dhe humbën, por edhe pse s’u gjend një ‘’Kokushtë’’, si për Pashkun, që t’i ndihmojë, t’ju hapë rrugën e t’i nxjerrë në dritë.

Ja si shkruan Pashku për profesorin e tij të paharuar Petro Kokushta ‘’Piktor i Merituar’’: ‘’Ju më bëtë të ëndërroj e të hy gjithë entusiazëm në rrugën që ndjek edhe sot pa më kërkuar asgjë në këmbim’’. Nuk ka gjë më të madhërishme për profesorin kur dëgjon këto fjalë nga ish nxënësi apo studenti që është bërë sot i suksesshëm në profesion e në jetë. Pashku në libër nuk i kursen fjalët e mira dhe mirënjohjen e tij dhe për gjithë të tjerët që e ndihmuan në këtë rrugëtim të gjatë dhe mbi të gjitha për familjen e tij, për prindërit e bashkëshorten, Lulen, vajzën me kaçurela që i rrëmbeu zemrën qysh në moshë të njomë.

‘’Në çdo kohë, sikur isha në shkollë, në aksion, në mësim, në zborr ushtarak dhe kudo që shkova, përpara syve më dilte familja ime’’- shkruan Pashku. Kjo ka një shpjegim, të cilin lexuesi do ta ndesh në libër. Ai mbaroi shkollën e mesme në vitin 1976 dhe në shkollën e lartë vajti në vitin 1986, mbas 10 vjetësh, mbasi kishte kryer shërbimin ushtarak dhe kishte krijuar familje. Kjo përbën një sakrificë të madhe për atë vet dhe familjen, por në saj të vullnetit të tij të hekurt, të punës së palodhur dhe talentit të madh ai i përballoi të gjitha duke përfunduar me sukses studimet e larta në vitin 1990 pranë Akademisë së Arteve në degën ‘’Pikturë monumentale’’.

Jeta e Pashkut është jeta e një fëmije fshati që ka provuar në kurriz vuajtje dhe hidhërime të shumta, por dhe çaste të bukura edhe gëzime gjithashtu. Ka ndodhur që të ‘’bie në gjunjë’’ por ka ditur të ngrihet përsëri ‘’në këmbë’’ akoma më i fortë dhe më i suksesshëm. Ai sot rradhitet ndër peisazhistët më të mirë të vendit. Që nga pjesmarja në ekspozitën e parë në vitin 1979 me veprën ‘’Vjeshtë në Manati’’ kur ishte vetëm 21 vjeç, pa mbaruar studimet e larta, e deri më sot është autor i 44 ekspozitave personale në pikturë të çelura brenda dhe jashtë vendit. Ai dashuron peisazhin e gjallë të natyrës Shqiptare prandaj me kavaletën në krahë ka bredhur gjithë trevat duke realizuar vepra me vlerë. Por përveç peisazhit ai ka lëvruar dhe gjininë e portretit. Portretet e Skënderbeut, Nënë Terezës, Zef Pllumit, Fishtës, babait, Cigania, Autoportret, Portret djali etj. shquhen për nivelin e lartë artistik. Të gjitha këto lexuesi do t’i gjej të pasqyruara me vërtetësi dhe një e nga një në libër.

Për veprën e tij kanë shkruar shumë piktorë, kritikë arti dhe personalitete si Kujtim Buza ‘’Piktor i Merituar’’, Profesor Gazmend Leka, piktor Akademik Rexhep Ferri (Kosovë), Ismail Lulani ‘’Piktor i Popullit’’, Hasan Nallbani ‘’Mjeshtër i Madh’’, Petro Kokushta ‘’Piktor i Merituar’’, Maya Green piktore Los Anxhelos-Kaliforni, Preç Zogaj shkrimtar, Ndue Dadaj shkrimtar, publicist dhe studiues e shumë të tjerë. Gjithashtu për Pashkun janë realizuar disa emisione televezive me intervista, por ka shkruar shumë dhe shtypi periodik i kohës.

Në dhjetor 2006 është dekoruar nga Presidenti i Republikës z. Alfred Moisiu me urdhrin ‘’Naim Frashëri i Artë’’ kurse në dhjetor 2016 i është akorduar urdhri ‘’Mjeshtër i Madh’’nga Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani.

Gjurmët e Pashkut i ndjek dhe i biri Admiri, d.m.th.kemi dhe ‘’Përvathin e ri’’. Edhe ai ka mbaruar studimet e larta për pikturë. Por ajo që është më interesante është se edhe bashkëshortja, Lula, duke qënë pranë një mjeshtri të tillë guxoi një ditë prej ditësh të rrëmbejë dhe ajo penelat dhe bojrat… Dhe rezultati ishte mjaft inkurajus.

Shkrimtari, Publicisti dhe studiuesi Ndue Dedaj ka shkruar: ‘’Përvathi përhërë e më shumë, është një rrugëtim piktorik i dyfishtë, i Atit dhe i Birit….’’- dhe Shpirtit të Shenjtë do shtoja unë duke iu referuar Biblës dhe atyre që besojnë doktrinën e Trinitetit, ku Shpirti i Shënjtë është Lula, heroina e familjes që mbajti peshën e rrëndë përsa kohë Pashku mungonte nga shtëpia për studime e për punë.

Pashku ka kaluar shumë herë dhe nga anët tona, ka vizituar dhe Bregun duke realizuar vepra madhore si peisazhin ‘’Bregu i Himarës’’. Ai ka qënë dhe në fshatin tim Dhërmiun, për të cilin ka debulesë të madhe. Këtë ma ka shprehur dhe vetë duke më thënë: ‘’Bixhil, je me fat që je nga ky fshat’’. Unë bile i jam borxhli sepse dy peisazhe të tij nga Dhërmiu kanë zbukuruar kopertinat e dy vëllimeve të mia poetike.

Nga viti 1994 e në vijim Pashku ka qënë piktor në profesion të lirë. Sot ka shkelur pragun e grupmoshës së tretë dhe është një gjysh i lumtur. Vazhdon të ketë një jetë aktive dhe krijimtari të pasur duke e ndarë kohën midis Lezhës, që nuk e braktisi kurrë dhe Tiranës, sepse ka një galeri në Lezhë dhe dy në Tiranë. Por njëkohësisht është kthyer në bujk e pemtar i zoti mbasi në kopshtin prej një dynim në Manati ka mbjellë gjithë llojet e pemëve frutore. Kështuqë mbas lodhjes në studio rrend të gjejë çlodhje aty.

Kjo është pak a shumë historia e piktorit Lezhjan Pashk Përvathi që përmblidhet në këtë libër me titull ‘’Rrugëtimi im’’, një rrugëtim madhor hapash vigane nga rrugicat e Manatit në bulevardet e sallonet e metropoleve europiane e botërore.

Në mbyllje dua t’i përmend këto fjalë kuptimplote të Pashkut në libër: ‘’Nuk jam e as pretendoj të jem shkrimtar. Jam thjesht një piktor që ‘’lajthiti’’ një ditë e vendosi të shkruaj për jetën e tij’’.

As unë nuk jam shkrimtar, i dashur Pashk, por mbasi mbarova së lexuari librin tuaj, që më rrëmbeu s’kam pse ta fsheh, ‘’lajthita’’dhe unë dhe vendosa të shkruaj këto rreshta, ashtu siç më buruan nga zemra, për mikun e hershëm të viteve të paharuara të Shkollës së Kulturës që sot ka ‘’arrirë majat’’ si piktor e artist i afirmuar. Nuk e di sa ja kam arritur qëllimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb