Përkthyer nga Adil N.Biçaku
Pjesa e nëntë
On thee, thou rugged nurse of savage men.
Lord Byron.

Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.

Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.

Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.

Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.

Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.

Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.

Me shumë respekt

Adil Biçaku

Vijon nga numri i kaluar

Kjo rezidenca modeste Mbretërore, vërteton edhe një pjesë të vetë Mbretit. Pa asnjë dyshim, ai mund të ndërtoj një pallat shumë më të mrekullueshëm, nëse kishte dashur, pasuria e tij private, vlerësohet deri në 20 milion franga flori. Por ai është kënaqur, me rezidencën e bukur, që ka ngritur në kodrën e Durrësit dhe ka riparuar këtë, ish-shtëpi beu, për banesë të tij të zakonshme. Një skicë, në fakt, ekziston për një pallat të bukur, që do të formonte një pamje të natyrshme në mbarim të Bulevardit “Zog”, që porsa ka përfunduar, por ky plan nuk ka të ngjarë se do të realizohet, para se të përmirësohen financat shtetërore.

Përveç kësaj, duket se ai është mjaft i kënaqur në shtëpinë e vjetër të beut, të cilën e ka rregulluar thjeshtë por në mënyrë të kulturuar. Kati i poshtëm, përmban një sallon të madh me mobile të veshura me mëndafsh me lule blu, qilima të bukur persiane dhe një komplet të pasur gotash veneciane. Ngjit me sallonin, ndodhet dhoma e ngrënies e stilit të rilindjes. Një perde, ndan sallonin nga dhoma e punës së Mbretit, që është shumë e gjatë dhe nga forma, të kujton një tjetër dhomë pune, por me famë internacionale: Njësoj sikurse Il Duçe edhe Mbreti Zog e ka kuptuar efektin e një dhome, në këtë formë edhe ai e ka vendosur tavolinën e shkrimit, në pjesën e fundit të dhomës. Vizitorit i duhet të ecë një copë të gjatë, që i duket një milje rrugë, para se të arrijë te tavolina e shkrimit, atje ku është ulur sundimtari me gjithë atë madhështi.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Tavolina e shkrimit të Mbretit, është e gjerë dhe e madhe, karrigia e shkrimit, me shpinë të lartë dhe kurorëzuar me shqiponjën e skalitur dykrenore shqiptare. Mbas karriges ndodhet një vitrinë me gjëra të bukura. Mbi tavolinë gjendet një nënshtresë e madhe meshini, një shishe e bukur me bojë shkrimi, një llambë elektrike, në formë të një shandani të stilit të vjetër, si dhe një bust i Napolonit. Por mbreti Zog, nuk është i vetmi kryetarë shteti evropian, që ka Napolonin në tavolinën e shkrimit. Ai merr inspirim, bile edhe nga një tjetër strateg, i cili me siguri, ushtron më shumë admirim në të, se sa perandori francez. Në tavolinë është një medaljon me fotografinë e gdhendur të Skënderbeut. Edhe në plastikën e nënshtresës së meshinit, shikohen tiparet karakteristike të sundimtarit të Krujës dhe heroit të lirisë së Shqipërisë.

Automobilat e Mbretit, kanë helmetën e Skënderbeut, në miniaturë në parafangot. Dhe kur Madhëria e tij është veshur me uniformë festive, mban dekoratën ma të lartë të Shqipërisë: Urdhrin “Skënderbeg”. Skënderbeu, është akoma një realitet i gjallë në këtë Shqipërinë moderne. Kur mbretërorët në vjersha dhe proza i këndojnë lavdi sovranit tyre, bëhen gjithnjë krahasime mikluese me heroin e madh të lirisë. Kur opozita vazhdon me valën e satirës, bëjnë edhe ata krahasime, por për Mbretin më pak të pëlqyeshme. Në asnjë vend në kohën moderne sigurisht, nuk është aktualizuar simboli tradicional i lirisë, në këtë mënyrë kaq të madhe, sikur ka ndodhur me Skënderbeun në Shqipëri. Skënderbeu ka zënë vendin e nderit, përkrah me Muhamedin dhe Krishtin.

Unë nuk kam pas rast të takoj personalisht Mbretin Zog. Mua m´u premtua në fakt një audienc, por koha e takimit për këtë ngjarje, shtyhej sipas zakonit oriental, për çdo ditë dhe më në fund u mërzita duke pritur. Në zgjedhjen midis takimit me Mbretin, apo të bëj një udhëtim rreth vendit të Shqipërisë, preferova këtë alternativën e fundit. Por një anëtarë i Oborrit më dha një përmbledhje të shkurtër, e cila m´u duk se përbën një kompletim të mjaftueshëm për përshtypjet, që të japin fotografitë që disponoj. Ai ka një gjatësi mbi mesataren dhe shumë shtatë hedhur, ka një qëndrim të mrekullueshëm dhe ka dinjitetin e natyrshëm të shqiptarit.

Fytyra karakterizohet nga tipare të mprehta, por që të jep përshtypjen më shumë të butë, se të ashpër. Sytë i ka të kaltër dhe flokët e verdha, të krehura në të majtë. Ai flet rrjedhshëm gjermanisht, një rezultat i qëndrimit të detyruar në Vjenë, që unë e kam thënë më përpara dhe mirë, frëngjisht e italisht. Pothuaj se ai gjithmonë del i veshur me uniformën e Marshallit shqiptar, një uniformë e thjeshtë bojë kafe, që ndoshta jo fare rastësisht, të kujton rrobat e oficerëve të vjetër austriak. Ai nuk është i martuar dhe është shumë i vetëm, një vetmi që tani pas vdekjes s´ëmës, i ka sjellë një fije tragjedie.

Në besim është muhamedan, monarku i vetëm muhamedan në Evropë. Por ai nuk është fare muhamedan fanatik. Përkundrazi. I ngjashëm me Mustafa Qemalin edhe pse në një mënyrë, më të kulturuar dhe të kujdesshme, ka ndërmarrë vendime qeveritare, të cilat pothuajse nuk kanë ngjall ndonjë entuziazëm, midis klerit muhamedan. Ai ndryshon edhe në një tjetër veti, prej mbretërve dhe princave evropian: ai nuk ka asnjë hobi. Të paktën asgjë që dihet dhe hobi, që përmendet në përgjithësi të atij lloji, që mbretërit zakonisht e shohin si një pjesë të sekretit të popullaritetit. Siç duket ai nuk ka kohë.

Vetmia e mbretit të kujton një shtëpi tjetër të rëndësishme në Tiranë: pallatin e Nënës Mbretëreshë. Ajo nuk ndodhet brenda mureve të betonit, por në anën tjetër të xhamisë dhe menjëherë pranë rrugës, një shtëpi dykatëshe, në stilin gjysmë arab, që përpara shërbente si ministri. Pas vdekjes së papritur të Nënës Mbretëreshë, në fillim të 1935, është varur basmë e zezë nëpër dritare dhe në hyrjen kryesore. Zija zyrtare e Oborrit në të vërtetë, zgjat vetëm gjashtë muaj, por zija familjare sipas zakonit mysliman edhe më gjatë. Pesë nga gjashtë motrat e Mbretit Zog, të cilat tani banojnë në këtë Pallat, nuk pritet që të dalin jashtë, për dy vjet. Prapë se prapë ky burgim, është mjaft i parëndësishëm për to, në krahasim me atë, që mund të godas gratë e familjeve shumë besimtare, në rrethet e thella të popullsisë. Një vejushë, nuk bën që, pas vdekjes së burrit, të dali prej shtëpie, para se ajo të martohet prapë dhe perspektivat për një rimartesë, janë mjaft të vogla. Nuk ka mungesë grash në Shqipëri.

Unë tashmë e kam cek se cilin rol, ka luajtur Nëna Mbretëreshë në karrierën e djalit sajë. Ajo qe forca dinamike, ajo që ndihmoi atë të jetë optimist, i dha atij nerv dhe forcë. Koka e saj e zgjuar dhe forca e vullnetit të patundur, kishte hedh që para vdekjes, një shkëlqim legjendar mbi të. Pas hipjes së Ahmetit në fron, ajo vazhdoi në një mënyrë determinante të influencojë, në masat qeveritare të djalit. Shpifarakët, kundër Mbretit aludojnë se, në të vërtetë qe ajo, që qeveriste Shqipërinë. Padyshim është, që Mbreti Zog kishte shumë nevojë për këshillat dhe udhëzimet e sajë. Krahas me forcën e vullnetit, duket se ka qenë edhe e pajisur me një njohje psikologjike të jashtëzakonshme.

Ajo i njihte shqiptarët përbrenda dhe për jashtë, njihte dobësitë dhe meritat, dhe këto dituri, ajo arriti t´i a transferojë djalit të sajë. Është ky depërtimi i mprehtë i psikikës së popullit shqiptar, që shpjegon se ai mundi të mbaj, pozitën me të gjitha stuhitë dhe vështirësitë. Por vdekja e nënës, ishte një goditje e fortë, prej së cilës thuhet se nuk e ka marrë veten. Ajo qe e vetmja anëtarë familje, që banonte me të në vilën, dhe tani pas vdekjes sajë, ai është më vetëm së kurrë. Ndoshta ai është dhe i pasigurt. Thuhet, se ajo gjithnjë provonte ushqimin, që gatuhej, sepse helmimi nuk është nga të jashtëzakonshmet në vendet orientale.

Vdekja e saj është një histori e vogël më vete. Ajo qe nga natyra e pajisur me një trup të mrekullueshëm dhe nuk njihte se çdo të thotë sëmundje. Së bashku me shoqëruesit, ndodhej në një shfaqje në njërën nga dy kinematë e qytetit, gjatë kësaj kohe e kapi një ligështi e vrullshme, dhe shpejt u çua në Pallat. Një doktor i njohur shqiptarë u thirr, por nuk mundi të bënte asgjë dhe pas ndonjë ore, i vjen vdekja. Doktorët konstatuan se shkaku i vdekjes, qe pika në zemër, por populli kishte tjetër mendim. Në fillim u hap fjala, se Nëna Mbretëreshë ishte helmuar dhe pastaj një tjetër, që aludonte, se ajo vdiq nga padituria dhe pazotësia e doktorit.

Kjo teoria e fundit, fitoi pranim nga të gjithë dhe doktori shpallet në bllokadë e pësoi ndjekje të formave të ndryshme, megjithëse ky burrë i ngratë, me siguri nuk kishte pas aspak faj, në atë që ndodhi. Ditën e fundit të qëndrimit tonë në Tiranë, u luajt një skenë e çuditshme në seancën e gjyqit të qytetit. I pandehur qe doktori në fjalë dhe paditësi një xhuxh i vogël, me pamjen më të neveritshme, që unë kurrë nuk kam parë. Xhuxhi shpjegonte si nëpër tym dhe pa lidhje logjike në fjalën e tij, se doktori për qëllime eksperimentale dhe kundër dëshirës së tij, kishte bërë disa “injeksione mistike” nga të cilat ai është sëmurë dhe i përçudnuar.

Ky qe thjesht një proces shtrigash, që zhvillohej. Doktori qe ai fallxhori i rrezikshëm, që me anë të gjithfarë metodash të fshehta, shpërndan lemeri dhe fatkeqësi përreth vetes. Nuk u fol asnjë fjalë, për vdekjen e Nënës Mbretëreshë, por motivi qe i qartë dhe m´u shpjegua edhe më gjatë, nga një person i mirë informuar në procesin gjyqësor. Procesi qe veç një linjë, në fushatën kundër doktorit të urryer. Xhuxhi, një vrasës i fshehtë famëkeq, ishte angazhuar të shkoj tek doktori, për t’u konsultuar për zorrën e verbër dhe këtë kontrollin fare të zakonshëm, e përdorën pastaj si bazë për akuza absurd, për “injeksione mistike”. Përfundimin e gjyqit nuk e di.

Nga gjashtë motrat e Zogut është një e martuar, një e ve dhe katër të pa martuara dhe këto pesë të fundit, që banojnë në Pallatin me perçe të zezë, të Nënës Mbretëreshë: dama të reja të bukura dhe të kulturuara, të cilat kanë marrë një edukatë të klasit të parë në Vjenë dhe Paris, merren me një aktivitet të caktuar në jetën publike. Sanija, që është e madhja, udhëheq shoqatën e grave shqiptare, që pa sukses, punon për emancipim. Myzejeni ushtron njëfarë protektorati sportiv dhe Mexhidja protektoratin e artit. Motra, e cila qe martuar me Cenon, që u vra në Pragë, është nëna e trashëgimtarit të fronit të vendit. Djali dymbëdhjetë vjeçar i vogël i saj, e ka në fakt këtë dinjitet, sa kohë që Mbreti Zog është beqar dhe nuk ka ndonjë fëmijë.

Ai është një djalë i hijshëm, që veçanërisht, kur ka uniformë, duket direkt sikur ka dalë nga ndonjë libër përrallash. Atij nuk i është dhënë mësues privat, por edukimi i tij i është besuar një nga gjimnazet e qytetit, ku ai mëson së bashku me djem të çobanëve dhe këpucarëve. Unë bëra rastësisht një vizitë fare të pa paralajmëruar, në këtë gjimnaz, një shkollë e bukur dhe shumë e organizuar, midis të tjerash u lejova të asistoj në një orë mësimi, në klasën e princit. Mësuesi që donte të tregohej i mirësjellshëm, urdhëroi princin që të shkoj tek harta dhe të tregoj, se ku gjendet Suedia. Djali nuk hezitoi as një minutë, por me njëherë e dëftoi me shkopin tregues. Ka me siguri djem shkolle të rij evropian, në vende afër, të cilët nuk do ta kishin kryer detyrën në të njëjtën mënyrë të sigurt.

Përveç vilës së Zogut dhe pallatin modest të pesë princeshave, nuk ka tjetër rezidencë Mbretërore në Tiranë. Interesi i qytetarëve, lidhet krejt natyrisht me botën e paparë, brenda mureve të betonit dhe se çfarë ngjan dhe rastis mbas harqeve të dritareve të shtëpisë së princeshave. Por tek damat mbretërore, nuk besohet të ndodhë shumë. Zija i ka izoluar ato nga jeta e qytetit, dhe e vetmja shkëputje nga jeta monotone, janë veç koncertet e të dielave, në parkun e qytetit. Përballë Pallatit të tyre, shtrihet në fakt një kompleks kopshti i vogël, me rrugë ranishte, grupe lulesh dhe pemë të holla, të plantuara së afërmi.

Në mes të parkut, kanë ngritur një estradë muzike dhe atje luan orkestra ushtarake mbretërore, çdo të dielë për banorët e zellshëm të Tiranës. Por pak më tutje, gjendet një kafe në bahçe edhe prej atje dëgjohet muzikë, muzikë gramafoni, për veshët e perëndimorëve e pa kuptueshme muzikë turke, e cila ka njëfarë kënaqësie, me instrumentimet e çuditshme dhe ritmet sugjestive. Dhe në këtë mënyrë, takohet Shtrausi dhe kompozitorët e panjohur të orientit, në një dis-harmoni shqiptare, që sigurisht do të irritojë veshët e shëtitësve, për shumë vjet të ardhshëm.

Edhe nëse jeta e pesë princeshave myslimane, është monotone dhe vuajtje për mungesë ndryshimi, ndodh prapë se prapë më shumë brenda mureve të betonit të Mbretit Zog. Është në vilën e Mbretit, ku të gjitha vendimet e rëndësishme, merren dhe planet përgatiten aty. Mbreti Zog, ka pas sukses të fitojë kompetencat diktatoriale, të cilat janë të nevojshme për një monark shqiptar dhe ministrat e parlamenti, të zbatojnë urdhrin e tij, ose urdhrin e këshilltarit të tij, sikur shprehet opozita. Por asnjë nuk mund të qeverisë vetëm dhe, edhe një Mbreti despot, i duhet të ketë një këshilltarë në dispozicion.

Mbreti Zog ka preferuar të merret me ushtarakë dhe diktatura e tij, është diktaturë ushtarake, e cila ndoshta është e vetmja mënyrë e formës së qeverisjes, në Shqipëri tani për tani. Kjo është e vetmja e mundshme për shumë arsye. Shqiptarët janë popull i vjetër luftarak, i cili respekton detyrën e luftëtarit, krejt ndryshe se në vende, ku periudhat e gjata të paqes, i kanë lënë në një anë obligimet kryesore të ushtarakëve. Ushtria është mbështetja e vetme e Mbretit Zog, kundër tensioneve të ndryshme politike, dhe prandaj kjo ka qenë nevojë e detyrueshme, të mbajë ushtrinë pas vetes. Kjo ka rezultuar në një klasë të privilegjuar oficerësh, e cila ka shkaktuar shumë xhelozi dhe zemrat.

Oficerët nuk paguajnë taks dhe paguhen mirë, një nëpunës civil ka taksa të rënda dhe rrogë të ulët. Mbreti e ka kuptuar se si të shfrytëzojë, këtë klasë ushtarake në shumë mënyra. Nuk ka qenë gjithnjë aq lehtë të fitoj simpatinë e bajraktarëve të fortë. Tituj të lartë ushtarake, me rrogë të mirë por pa shërbim të obliguar, ka pasur efekt të mrekullueshëm. Statusi social i profesionit të ushtarakut, ka bërë gjithashtu që djemtë e prijësve të malësisë, pothuaj pa përjashtim janë shkolluar ose shkollohen për oficerë. Të jesh oficer është gjithçka, të jesh civil pikërisht, asgjë. Mbreti diti se çfarë bëri, kur ai e ndau popullin shqiptar në dy klasa shoqërore, oficerët dhe civilët. Sa kohë që ai ka oficerët në dorë, pozicioni i tij duhet të jetë mjaft i sigurt.

Ky favorizim i forcave mbrojtëse, nuk ka shpëtuar të bëhet një veti karakteristike, në fizionominë e Tiranës. Kudo që të ecësh nëpër qytet, takon këta oficerët mbretëror, zotërinj shumë elegantë, me uniforma dekorative bojë kafe, në gri dhe me çizme llustrafine. Sheh më shumë oficerë se ushtarë. Ata rrinë nëpër kafene më filxhanët përpara, mbushin vendet më të mira të kinemasë në darkë, luajnë letrash në kazinonë elegante ushtarake. Ata janë të pashëm dhe duken të kulturuar, por duket se kanë pak për të bërë, për arsye se është vështirë të gjesh punë për ta. Numri i ushtarëve, është fare i vogël dhe i oficerëve fare i madh.

Kur unë përmenda, se interesi i banorëve të qytetit, në shkallë të lartë lidhet me veprimtarinë e Familjes Mbretërore, dua të ve në dukje, që unë në Shqipëri, nuk kam gjet ndonjë rojalizëm vulgar, e cila është e zakonshme, në Monarkitë e tjera të Evropës. Interesi nuk është aq i pamasë, thjeshtë për çështjet private të mbretit, lidhet më tepër me vendimet dhe masat e tij. Monarkia është akoma, tepër e re që përgojimet rojaliste, të kenë ngulur këmbë tamam. Dua të them në një pike, është natyrisht njeriu shumë i interesuar: nuk do të ketë Shqipëria kurrë ndonjë Mbretëreshë? Thashethemet nuk kanë munguar. Së fundi, flitej për një princeshë italiane, por Mbreti Zog, është burrë tepër i zgjuar, të marrë një Mbretëreshë prej Italie. Mjafton të marrësh pare. Një martesë me italiane, dot t´i jepte edhe më shumë dëshmi të rrezikshme, opozitës anti italiane. /Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb