Liderë të ndryshëm botërorë kanë shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, i cili udhëhoqi Selinë e Shenjtë që nga viti 2013 dhe ndërroi jetë këtë mëngjes në moshën 88 vjeçare. Presidenti francez Emmanuel Macron ishte ndër të parët që nderoi kujtimin e Papës, duke e quajtur atë një “njeri të thjeshtë, gjithmonë në mbështetje të atyre që ishin më të vuajturit dhe më të pafatët”.

Nënpresidenti i SHBA, JD Vance, i cili pati mundësinë ta takonte Papën ditën e djeshme, shprehu keqardhje për humbjen e tij, duke theksuar se ndihmonte shumë njerëzit dhe ishte një burim inspirimi, sidomos gjatë ditëve të vështira të pandemisë së Covid-it.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e kujtoi Papa Françeskun si një figurë të shquar që do të mbahet mend nga e gjithë bota, duke e quajtur atë “Papën e popullit” dhe duke theksuar marrëdhënien e ngushtë dhe të veçantë që kishte me të.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e lavdëroi Papën për frymëzimin që u dha miliona njerëzve, shumë përtej kufijve të Kishës Katolike, për përulësinë dhe dashurinë që ai shpërndante. Po ashtu, Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, theksoi se buzëqeshja e tij prekte thellësisht zemrat e njerëzve në të gjithë botën.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, e shprehu trishtimin e tij të thellë për humbjen, ndërsa Kryeministri polak Donald Tusk e kujtoi Papa Françeskun si një njeri të ngrohtë, të ndjeshëm dhe të plotë me mirësi.

Presidenti egjiptian, Abdul Fattah al-Sisi, e nderoi Papën për angazhimin e tij të palodhur në promovimin e paqes, dashurisë dhe dhembshurisë. Kryeministri holandez Dick Schoof e vlerësoi Papa Françeskun si një njeri që gjithmonë ishte pranë popullit.

Presidenti izraelit Isaac Herzog e kujtoi Papën për dhembshurinë e tij të pafund, ndërsa Presidentja zvicerane, Karin Keller-Sutter, e përshkroi atë si një udhëheqës shpirtëror të jashtëzakonshëm dhe një mbështetës të palodhur të paqes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb