Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji foli me tone të forta nga takimi me demokratët e Lezhës kur tha se lidershipi nuk po reflekton, edhe pas takimeve masive që ai po zhvillon me bazën.
Salianji tha se PD-në nuk e lënë të ndryshojë ata të cilët ai i quajti “pesëshja fantastike”, të cilët nuk duan të humbin privilegjet në opozitë.
Gjithashtu, Salianji tha se ai nuk do të krijojë forcë tjetër politike, duke shtuar se shtëpia e tij është PD.
Ervin Salianji: Lidershipi i PD nuk po zgjohet pavarësisht nga takimet tona masive në terren. Guximi për të thënë marrëzira i ka çuar deri aty që ça nuk thonë për demokratët që mbushin sallat, ça nuk thonë edhe për mua. Nuk ka gjë. Mos u mërzisni. Njerëzit e trembur nga humbja e privilegjeve nga pushteti i opozitës ça nuk do thonë. Unë jam i lindur në PD, nuk kam qenë në Partinë e Punës, kam qenë në PD në opozitë me Qeverinë. Familja ime dhe unë kemi marrë vetëm kosto, as tendera, as leje, asnjë të punësuar në shtet, nuk kam familjarë, nipa e mbesa të punësuar në administratë, as familjarë që furnizohen ekonomikisht nga PS.
Lidershipi tha se opozita është e vështirë, por pyetja ime është e sinqertë; a e ndjejnë opozitarizmin njerëz që kanë 35 vite që paguhen me rrogë për shkak të sakrificës së demokratëve dhe përballjes me regjimin. Ua them qartësisht, unë nuk krijoj forcë tjetër politike, shtëpia ime është PD, PD-në do ta ndryshojmë, PD-në do ta bëjmë fituese. Shqetësimi në PD nuk është për mijëra demokratë që po flasin, por si “5 fantastikët” që rrinë në lidership nuk i dëgjojnë shqetësimet e demokratëve.
