Një vendim i rëndësishëm është marrë nga Bashkia Peqin këtë javë për garantimin e sigurisë në Urën e Digës Çengelaj mbi lumin Shkumbin. Me urdhëresën nr. 57, datë 06.02.2026, Kryetari i Bashkisë z.Bukurosh Maçi ka vendosur të urdhërojë ndalimin e qarkullimit për një kohë të pacaktuar të mjeteve motorike me tonazh mbi 3.5 ton në këtë segment strategjik që lidh mes tyre dhjetra fshatra të Peqit dhe Belshit.
Ky vendim sipas urdhërit të kryetarit të bashkisë Peqin bazohet në ligjin nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, ligjin nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, si dhe në nenin 6 të ligjit nr. 8378, datë 22.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”. Masa vjen pas raportit paraprak të Institutit të Ndërtimit (nr. 719/5 prot., datë 05.11.2025), i cili rekomandon ndalimin e menjëhershëm të mjeteve me peshë mbi 3.5 ton për shkak të riskut që paraqet struktura aktuale e urës.
Në shkresën zyrtare të Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, drejtuar Bashkisë Peqin dhe institucioneve ligjzbatuese, theksohet nevoja për marrjen e masave urgjente për të garantuar sigurinë e objektit. Konkretisht, kërkohet vendosja e kufizuesve fizikë (blloqe betoni) në hyrje dhe dalje të urës, me mbështetjen e Komisariatit të Policisë Peqin, për të penguar kalimin e automjeteve të tonazhit të rëndë, si dhe monitorimi i vazhdueshëm i zbatimit të këtij vendimi.
Gjithashtu, Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Durrës do të ketë rol mbikëqyrës në kontrollin e sigurisë së urës, duke raportuar çdo veprim që cenon stabilitetin e saj apo masat e ndërmarra.Ndërkohë banorët dhe bizneset e kësaj zone po përballen me një situatë të vështirë sepse po u shtohen kostot e shërbimit dhe kostot e punës pas marrjes së këtij vendimi.
Autoritetet theksojnë se kjo është një masë e përkohshme, ndërsa për një zgjidhje afatgjatë parashikohet angazhimi i Bashkisë Peqin për sigurimin e fondeve për ndërtimin e një ure të re. Paralelisht, pritet që pas analizave të thelluara teknike, të hartohet projekti për rikonstruksionin e plotë të Digës Cëngelaj dhe urës së shërbimit. Urdhëresa ka hyrë në fuqi menjëherë, ndërsa strukturat vendore dhe qendrore janë vënë në lëvizje për të shmangur çdo rrezik potencial për qytetarët dhe infrastrukturën.
