Gola dhe emocione në sfidat e tjera të së shtunës në Nations League. Kroacia e ka nisur me fitore aventurën në këtë kompeticion, duke mposhtur 2-1 Çekinë në Pragë. Sfida u zhbllokua në pjesën e dytë, kur Luka Modriç kaloi kroatët në avantazh në minutën e 47-të. Çekia reagoi menjëherë dhe Karabec barazoi shifrat, por në minutën e 77-të Marco Pašalić shënoi golin e fitores për miqtë.

Fitore bindëse edhe për Zvicrën, që triumfoi 3-0 në transfertë ndaj Maqedonisë së Veriut. Remo Freuler zhbllokoi rezultatin në minutën e 22-të, ndërsa Amdouni ishte protagonisti kryesor, duke realizuar dy herë dhe duke vulosur suksesin e zviceranëve, të cilët nuk kishin në dispozicion Granit Xhakën, pas pezullimit të këtij të fundit nga helvetët pas skandalit me vaksinën e “Covid-19”.

Ndërkohë në grupin ku bënë pjesë edhe Shqipëria, Finlanda dhuroi një festival golash ndaj San Marinos, duke fituar me rezultatin e thellë 7-0. Pohjanpalo hapi serinë që në minutën e pestë, ndërsa Svanbäck dhe Källman e mbyllën pjesën e parë me epërsinë 3-0. Në fraksionin e dytë, Walta realizoi dy herë, ndërsa Pohjanpalo kompletoi tripletën, duke vulosur goleadën e Finlandës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb