TIRANE – Gjashtë klube të njohura në Tiranë janë gjobitur me nga 350 mijë lekë të reja, pasi nuk zbatonin ligjin antiduhan. Gjatë kontrolleve në pjesën më të madhe të klubeve të natës në kryeqytet, inspektorët e ISHSH-së kanë konstatuar shkelje të ligjit në lokalet: Matrix, Mumja, Arena, Moscow, Taboo dhe Dream City.

“Bazuar në ligjin ‘Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë. Nr. 10433, dt. 16.06.2011 gjatë fundjavës me praninë e Z Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë dhe në drejtimin e Z. Eltar Deda, Kryeinspektor i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor u krye një inspektim nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, qendror, në pjesën më të madhe të klubeve të natës në Tiranë.
Gjatë inspektimit u konstatua se disa lokale nuk respektonin zbatimin e ligjit Nr. 9636 dt. 06. 11. 2006 i ndryshuar ‘Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit’ në ambientet e tyre. Për këtë arsye inspektorët e ISHSH morën masa administrative me vlerë 350 000 lekë te reja për klubet ku nuk zbatohej ligji në fjalë si dhe për pronarët/administratorët e tyre. Klubet ndaj të cilëve u morën masa janë: Matrix, Mumja, Arena, Moscow, Taboo dhe Dream City.”- thuhet në deklaratën e ISHSH-së.

Mësohet se inspektimi në lokalet e natës u ndoq nga afër nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, dhe Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor Eltar Deda.

“Prezenca e Z. Beqaj gjatë këtij inspektimi thekson edhe njëherë vendosmërinë e Ministrisë së Shëndetësisë për të mbështetur Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor në zbatimin pa asnjë hezitim të ligjit Nr. 9636 dt. 06. 11. 2006 i ndryshuar ‘Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit’. Nga ana e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor theksohet edhe njëherë vendosmëria për zbatimin e ligjit në mënyrë konstante dhe me tolerancë zero për shkelësit e ligjit.”-nënvizon ISHSH.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: