Në seancën plenare të sotme, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, u shpreh me tone të forta kundër nismës së qeverisë për ndryshimet në ligjin e koncesioneve dhe partneriteteve publike-private (PPP), duke theksuar se problemet e mëdha që ka sot Shqipëria në këtë sektor nuk lidhen me mungesë rregullash, por me mënyrën korruptive se si qeveria socialiste i ka zbatuar ato ndër vite.

Tabaku kujtoi se 12 kontrata koncesionare aktive, nga të cilat 6 janë nën hetim, përfaqësojnë një nga skandalet më të rënda financiare të vendit, pasi qeveria ka lidhur kontrata që arrijnë “pothuajse gjysmën e Prodhimit të Brendshëm Bruto”, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre dyshohet për shkelje të rënda dhe korrupsion.

“Kjo nuk është thjesht dështim i një ligji apo i disa ministrave. Është dështim i shtetit shqiptar, është një regjim që ka përdorur PPP-të si instrument për të pasuruar pakicën dhe për të varfëruar shumicën,” deklaroi Tabaku.

Sipas saj, korruptimi masiv i skemave të PPP-ve është kthyer tërësisht në arkitekturën e qeverisjes socialiste, një sistem i ngritur “gur më gur” për të kontrolluar politikat ekonomike, për të minimizuar konkurrencën në treg dhe për të kapur institucionet e pavarura.

“Kriza e ekonomisë shqiptare nuk ka ardhur nga tregu, as nga pandemia, as nga lufta. Ka ardhur nga korrupsioni. Nga një sistem i projektuar që pasuron klientelën politike dhe varfëron qytetarët,” theksoi Tabaku.

PD me propozime konkrete: transparencë, kufizime dhe ndalimin e kompanive të inkriminuara

Tabaku njoftoi se opozita ka paraqitur një sërë amendamentesh që synojnë rikthimin e standardeve europiane dhe eliminimin e shkeljeve që kanë bërë PPP-të simbol të korrupsionit qeveritar:
• Transparencë e detyrueshme në çdo fazë të koncesionit: nga studimet e fizibilitetit, tek dokumentet e tenderit, miratimet, performanca dhe kontratat finale.
“Asnjë kontratë koncesionare e qeverisë nuk është publikuar deri më sot,” theksoi Tabaku.
• Përjashtim automatik i kompanive që kanë kryer mashtrim, korrupsion, pastrim parash, falsifikim apo pjesëmarrje në grupe kriminale.
Ajo kujtoi se edhe Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar se PPP-të shqiptare përdoren për pastrim parash.
• Kufizim të kontratave për kompanitë e njëjta, pasi sot 80% e PPP-ve janë përqendruar në duart e 5–10 operatorëve të lidhur me qeverinë.
• Ndalim të manipulimit të tenderëve përmes skemave të brendshme midis kompanive, konfliktit të interesit dhe deklaratave të rreme.

“Këto janë standardet minimale europiane. Pa transparencë dhe pa kufizimin e aksesit në para publike, PPP-të mbeten instrument i abuzimit, jo i zhvillimit,” u shpreh Tabaku.

“Nuk ka ligj që mund të rregullojë një sistem që qeveria e ka ndërtuar për të kapur shtetin”
Deputetja demokrate theksoi se problemi nuk është tek nismat ligjore që sjell mazhoranca, por tek fakti se qeveria i ka përdorur PPP-të për të konsoliduar pushtetin dhe për të forcuar klientelën ekonomike.

“Shqipëria nuk mund ta fitojë këtë betejë me të njëjtët njerëz, me të njëjtën mazhorancë, me të njëjtat ministra që prodhuan kontratat më të korruptuara të dekadës. Nuk ka ligj që korrigjon këtë realitet politik,” tha ajo.

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Luftës Kundër Korrupsionit, Tabaku kërkoi një ndryshim të thellë politik dhe institucional, duke theksuar se vetëm një qeveri me vullnet të vërtetë mund të ndërpresë ciklin e kapjes së shtetit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb