TIRANË- Partia Demokratike ka kërkuar sot përmirësime në ligjin për barnat. Kreu i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Tritan Shehu deklaroi se ndryshimet që kërkohen cenojnë sigurinë e medikamenteve në vend.
“Projektligji i ardhur nga Qeveria për ndryshimin në ligjin për “Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik” cenon rëndë sigurinë medikamentoze te ne. Ky ndryshim kërkon heqjen nga ai ligj, në nenin për importin e medikamenteve te prodhuara ne vendet e Ballkanit, të detyrimit “që ato të qarkullojnë në një nga vendet e BE”. Ky “liberalizim” godet frymën e ligjit, eliminon kriteret e cilësisë se medikamenteve të qarkulluara te ne mbi të cilat bazohet ai”, tha Shehu.
Sipas tij argumentimi i Ministrisë së Ekonomisë me marrëveshjen e CEFTA është i gabuar, se ajo ka të bëjë me tregtinë e lirë, që nuk preket.
“Standardet e koeficienti i sigurisë janë diçka tjetër, për të cilën përgjigjet së pari Ministria e Shëndetësisë para popullsisë. Ky ndryshim në ligj, nëse realizohet duhet paraprirë detyrimisht me të tjerë elementë që sigurojnë cilësinë e atyre medikamenteve edhe te ne, njëlloj si në vendet e BE”, u shpreh ai.
Shehu kërkoi ngritjen e një komisioni të posaçëm me specialistë vendas dhe të huaj për të përmirësuar ligjin.
“Në këto kushte, ne kërkojmë që më parë të ngrihet një komision i posaçëm i përbërë nga specialiste vendas dhe të huaj të zyrtarizuar nga EMA ose OBSH për të përmirësuar ligjin tonë në drejtim të sigurisë së medikamenteve:
– Të prodhuara ne vend.
– Të importuara nga prodhimet e atyre vendeve të Ballkanit.
– Generiket në tërësi.
– Për të forcuar kapacitetet tona kontrolluese laboratorike etj.
Kjo, me qellim që e njëjta garanci të vlejë si për medikamentet e prodhuara në Shqipëri, për nga vendet e Ballkanit, apo generiket”, tha Shehu.
Ai theksoi se “për prodhimin vendas duhen përcaktuar mekanizmat e plota të sigurisë, si fillim kriteret GMP të OBSS”.
“Medikamentet e prodhuara në vend, ato të importuara prej jashtë vendeve të referimit dhe generiket duhet të analizohen para licencimit dhe periodikisht, për të përcaktuar edhe bioaktivitetet e tyre, në laboratorë të certifikuara të BE. Pra, në kushtet aktuale kur tregu farmaceutik në vendin tonë është në një konfuzion, kur te ne mungojnë kapacitetet e plota kontrolluese të medikamenteve, nuk duhet realizuar një ndryshim ligjor i tille, pa u implementuar me parë mekanizmat e kontrollit. Siguria medikamentoze nuk mund të preket as për premtime politike ndaj vendeve të tjera, as për ulje artificiale të kostos dhe as për interesa grupimesh të ndryshme”, deklaroi Tritan Shehu.
(m.k/BalkanWeb)
