Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, gjatë bashkëbisedimit me familjet kujdestare në Shkodër, ka vlerësuar rolin e tyre në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe mbështetës për fëmijët pa kujdes prindëror, ndërsa theksoi rolin kyç të ligjit të ri në fuqizimin e kujdesit alternativ.
“Çdo fëmijë meriton të rritet në një familje. Ligji i Kujdesit Alternativ është hartuar dhe po zbatohet në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Në qendër të tij është mbrojtja, rritja dhe zhvillimi i fëmijëve pa kujdes prindëror.

Synimi kryesor është parandalimi i braktisjes së fëmijëve, si dhe mbështetja financiare dhe sociale e familjeve kujdestare. Nga Shkodra dua të falënderoj nga zemra të gjitha familjet që janë bërë pjesë e këtij programi kaq të rëndësishëm, si dhe stafin dhe partnerët tanë, Bashkimin Europian dhe UNICEF, për mbështetjen në hartimin dhe zbatimin e këtij ligji,” – u shpreh ministrja Sala.
Sala theksoi se ligji i ri “Për Kujdesin Alternativ në Familje”, është një nga nismat më të rëndësishme të qeverisë shqiptare që vendos në qendër fëmijët dhe familjen, në kuadër të reformës së deinstitucionalizimit dhe përmbushjes së një prej kushteve të ndërmjetme në fushën e të drejtave themelore, si pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Gjatë takimit, disa prej familjeve kujdestare ndanë eksperiencat e tyre, duke dëshmuar ndikimin pozitiv që kjo nismë ka në jetën e fëmijëve dhe rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për këtë model kujdesi.
