Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka theksuar në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike se ndryshimet e propozuara në Ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi” adresojnë realitete të reja që janë shfaqur pas vitit 2020, duke vendosur fokus të veçantë te viktimizimi, format e reja të diskriminimit dhe rrugët konkrete të ankimit për qytetarët.
Sipas Ballës, periudha 2020–2025 ka nxjerrë në pah forma diskriminimi për të cilat më parë as nuk ekzistonte vetëdije ligjore, si pasojë e zhvillimeve teknologjike, shoqërore dhe të komunikimit. Për këtë arsye, ligji hyn në një “fazë të re zhvillimi”, të përafruar drejtpërdrejt me direktivat e Bashkimit Evropian, përfshirë standardet më të fundit për funksionimin dhe pavarësinë e organeve të barazisë.
Një nga risitë më të rëndësishme, sipas Ballës, është futja për herë të parë në ligj e konceptit të “shqetësimit” si formë diskriminimi. Ai theksoi se sjelljet e padëshiruara që cenojnë dinjitetin e individit ose krijojnë një mjedis frikësues, armiqësor apo poshtërues tashmë trajtohen qartë si diskriminim, pa lënë hapësira interpretimi.
Po aq thelbësor është edhe përkufizimi i qartë i viktimës së diskriminimit, një boshllëk që, sipas Ballës, ka ekzistuar edhe pas ndryshimeve të vitit 2020. “E kishim ligjin, por nuk i garantonte drejtpërdrejt mbrojtje ligjore viktimës”, u shpreh ai, duke theksuar se ndryshimet e reja sigurojnë mbrojtje reale për çdo person ose grup që pretendon të jetë subjekt i diskriminimit.
Ligji zgjeron ndjeshëm edhe rrethin e subjekteve të mbrojtura, duke përfshirë shtetasit shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, shtetasit e huaj rezidentë, personat pa shtetësi (apatridët), si dhe subjektet fizike dhe juridike nën juridiksionin shqiptar. Balla nënvizoi se kjo shtrirje garanton mbrojtje të barabartë jo vetëm ndaj autoriteteve publike, por edhe në raport me sektorin privat dhe kompanitë.
Një tjetër pikë kyçe është ndalimi i plotë i viktimizimit, ku çdo trajtim më pak i favorshëm ndaj një personi për shkak të ankimit ose kundërshtimit të diskriminimit ndalohet shprehimisht me ligj. Autoritetet publike dhe subjektet private detyrohen të marrin masa të menjëhershme parandaluese dhe mbrojtëse.
Balla theksoi gjithashtu se ndryshimet i japin përgjigje një problemi madhor: mungesës së informacionit se ku dhe si të ankohen viktimat e diskriminimit. Përmes forcimit të rolit dhe pavarësisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe zgjerimit të kompetencave të tij për ndërhyrje dhe padi në interes publik, qytetarëve u ofrohen mekanizma më të qartë dhe efektivë ankimi.
Sipas Ballës, këto reforma e bëjnë kuadrin ligjor më funksional dhe në përputhje të plotë me standardet evropiane, duke forcuar realisht mbrojtjen e viktimave dhe përgjegjshmërinë e institucioneve. Në përmbyllje, ai u bëri thirrje anëtarëve të komisionit dhe Kuvendit që t’i mbështesin ndryshimet pa dallime politike, si një hap i domosdoshëm kundër diskriminimit në format e tij të reja.
Fjala e plotë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla:
Është rastësi e veçantë dhe e bukur që të vij sot para Komisionit për Çështje Ligjore, në një ditë të shënuar sikurse është prej 77 vitesh, 10-vjetori që përkon me Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, e sanksionuar kjo në deklaratën universale të drejtat e njeriut, një dokument themelor ky, i cili prej 77 vitesh ka vendosur mbrojtjen e parimeve të dinjitetit, të barazisë dhe të lirisë, të cilat janë të drejta të pandashme për çdo qenie njerëzore.
Dhe nuk ka ditë ndoshta më të shënuar se sa të vish para Komisionit të Çështjeve Ligjore për të parashtruar disa përmirësime që qëndrojnë në thelb të këtyre parimeve të sipërcituara. Dhe në këtë kontekst besoj që ndajmë të gjithë vlerësimin, pavarësisht krahëve politikë që kemi nderin të përfaqësojmë, se diskriminimi është një prej atyre momenteve ku çdo shoqëri ndalet me vëmendje të veçantë.
Vetë diskriminimi, i cili përkufizohet si një trajtim i pabarabartë, i padrejtë, shpeshherë i pafavorshëm ndaj një personi apo një grupi personash apo komunitetesh, për shkak të karakteristikave të tyre personale, të cilat në fakt janë të mbrojtura, duhen mbrojtur gjithmonë e më mirë, dhe mbi të gjitha janë edhe moralisht të papranueshme. Këto karakteristika për t’i vënë në dukje edhe për publikun që na ndjek, lidhen shpeshherë me gjininë, por ato lidhen edhe me racën, me ngjyrën e lëkurës, ato lidhen me gjuhën.
Shpeshherë në këtë komision lidhen edhe diskutime që kanë të bëjnë me etninë, me minoritetin, me fenë, me prejardhjen, pa harruar këtu edhe diskutime që kanë të bëjnë me paaftësinë, me moshën, me orientimin seksual, por edhe me bindjet politike, por edhe me statusin ekonomik, apo edhe me çdo tipar tjetër personal që mbart çdo qenie njerëzore. Dhe prandaj e bëra këtë parashtrim, sepse në thelb diskriminimi ndodh kur dikush, për fat të keq, për faj të shoqërisë, trajtohet më keq se të tjerët në situata të ngjashme, thjesht vetëm për shkakun se ai është ndryshe. Dhe kjo vjen edhe për shkak të veprimeve apo edhe të aftësive të personit.
Dhe e përmbledhur e gjithçka sa thashë në mendjen e ndritur të Hannah Arendt, në një prej kryeveprave të tij, sikurse është “Origjina e Totalitarizmit”: Barazia, dashur miq, nuk është një fakt biologjik, por është edhe një vendim ligjor, aq sa edhe një vendim politik.
Dhe për këtë qëllim kam ardhur para Komisionit të Çështjeve Ligjore për të marrë vendimin ligjor dhe politik të këtij komisioni, për të çuar përpara përmirësime të tjera që kanë të bëjnë me përpjekjen e përbashkët kundër çdo lloj forme diskriminimi.
Ligji aktual ka qenë dhe mbetet një nga instrumentet themelore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe funksionimin real të shtetit të së drejtës në republikën tonë. Dhe dikush do të thoshte këtu: mirë, dakord, po ju zoti Balla, çfarë lidhje keni me këtë ligj? E vërteta është që prej vitit 2010, kur për herë të parë u iniciua ky ligj, edhe në atë kohë kam qenë relator në komisionin për integrimin europian. Dhe prej atij momenti jam munduar të jap çdo lloj forme kontributi për përmirësimin e tij paralelisht me realitetin shoqëror dhe me standardet europiane.
Ky është njëri prej atyre ligjeve që sa më shumë ecën përpara koha, sa më shumë zhvillohet teknologjia, mjetet e komunikimit, aq më shumë rriten hapësirat e diskriminimit.
Dhe për pasojë, që në momentin e parë kur u konkretizuan në mënyrë të veçantë ndryshimet e propozuara, e më pas me përmirësimet që kam sjellë në vitin 2020 si deputet iniciues, pra edhe në vitin 2020 kam kontribuar me disa ndryshime te ligji për mbrojtjen nga diskriminimi, mendoj që e kemi forcuar aq sa ka qenë e mundur atë që unë do ta quaja arkitekturën ligjore të mbrojtjes kundër diskriminimit.
Dhe për t’ju vendosur pak në kontekstin historik të pesë viteve më parë, në atë moment ndryshimet që pata propozuar kishin të bënin kryesisht me atë që thashë pak më lart, format e reja të diskriminimit të shfaqura për shkak të zhvillimit historik, shoqëror, kulturor, teknologjik të shoqërive tona, përfshirë këtu një element shqetësues, mbetet një prej betejave më të mëdha të demokracisë sot, që është gjuha e urrejtjes, po ashtu diskriminimin e shumëfishtë dhe ndërsektorial, diskriminimin që ekspertët e quajnë diskriminim i strukturuar, si dhe forma të tjera më të rënda të diskriminimit, përfshirë rastet kur diskriminimi nuk ndodh një rast, por ai përsëritet në mënyrë të vazhdueshme.
Dhe këto përkufizime krijuan baza të qarta juridike për një trajtim më të saktë të rasteve për të cilat Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ashtu edhe gjykatat, veprojnë, duke rritur ndjeshëm aksesin e qytetarëve në drejtësi kundër diskriminimit.
Pas këtyre ndryshimeve u vu re një rritje e ndjeshme e ankesave për rastet e gjuhës së urrejtjes dhe për forma të tjera diskriminimi, si dhe shumë raste dhe çështje të ndjekura nga vetë komisioneri.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka qenë në raport në Kuvendin e Shqipërisë përpara komisionit tuaj dhe Komisionit të Nismave Qytetare. Me ndryshimet e vitit 2020 u rrit edhe numri i çështjeve gjyqësore me objekt diskriminimin.
Dhe ajo që është vlerësim i arritjeve të një ligji është se arritëm të forcojmë rolin e komisionerit, për ta pasuruar e zhvilluar jurisprudencën përmes pjesëmarrjes së tij në gjykimet kushtetuese, të cilat vijnë në formën e amicus curiae.
Po ashtu, me ndryshimet e vitit 2020 u zgjeruan edhe shkaqet e ndaluara të diskriminimit, duke përfshirë, dhe kërkoj vëmendjen tuaj, një formë tjetër diskriminimi që përfshin shtetësinë, çka e bëri ligjin realisht gjithëpërfshirës, sidomos për shtetasit e huaj që kërkojnë rezidencë në forma të ndryshme në Republikën e Shqipërisë, përfshirë rastet e azilit, qoftë ekonomik apo politik.
Dhe kjo ishte një element tjetër thelbësor, sepse në rrugën tonë të ribashkimit me Europën, padyshim që çdo lloj forme diskriminimi nuk përputhet me vlerat që promovon familja e madhe europiane ku duam të integrohemi. Dhe një rëndësi e veçantë iu dha forcimit të rolit monitorues të komisionerit në zbatimin e legjislacionit për barazinë gjinore, duke rritur ndjeshëm trajtimin e rasteve të diskriminimit gjinor. Kurrë mos harroni që diskriminimi gjinor është baza mbi të cilën rritet dhe shfaqen format edhe të dhunës me bazë gjinore apo seksuale.
Dhe në këtë bazë të konsoliduar pas kësaj paraqitjeje, vij sot para jush të paraqes për shqyrtim një fazë të re të zhvillimit të ligjit. Pesë vite më pas në kulturën juridike dhe atë ligjvënëse janë mjaftueshmërisht koha e duhur për të parë se çfarë është bërë dhe çfarë duhet bërë më tej. Janë ndryshime të cilat mbartin në bazën e vet, kryesisht, përafrim të plotë të legjislacionit tonë me legjislacionin komunitar, pra të Bashkimit Europian, dhe synojnë që të garantojmë një mburojë më efektive kundër çdo lloj forme tjetër diskriminimi.
Zonja dhe zotërinj deputetë, nga viti 2020 në 2025 janë shfaqur edhe forma të tjera diskriminimi për të cilat as nuk na shkonte mendja në vitin 2020.
Ndryshimet e reja synojnë harmonizimin e drejtpërdrejtë të legjislacionit shqiptar me Direktivën 2000/43 të Këshillit të Bashkimit Europian, e cila zbaton parimin e trajtimit të barabartë ndërmjet personave, pa dallim race apo origjine etnike, si dhe me një direktivë tjetër, 2000/78, që vendos kuadrin e përgjithshëm për trajtimin e barabartë në punësim dhe në profesion. Njëkohësisht synohet që të përaffohet legjislacioni ynë me standardet e reja të përcaktuara në Direktivën 2024/1499 dhe Direktivën 2024/1500, të cilat përcaktojnë rregulla të detajuara për funksionimin, pavarësinë dhe kompetencat e organeve të barazisë dhe organeve të barazisë në shtetet anëtare të Bashkimit Europian.
Ja pra ku kemi një jurisprudencë pothuajse të plotë të Bashkimit Europian, e cila, sipas parimit të subsidiaritetit, përfshin vendet anëtare të Bashkimit Europian, dhe ndryshimet e reja fillojnë që nga çështjet që lidhen me përkufizimet themelore të ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi.
Dhe po e filloj me një koncept.
Nuk ekzistonte as në vitin 2010, as në vitin 2020: koncepti i shqetësimit, një formë diskriminimi, e cila riformulohet për ta trajtuar qartë si një formë diskriminimi që ndodh përmes një sjelljeje të padëshiruar, të lidhur me shkaqet e ndaluara nga ligji, e cila cenon dinjitetin e personit ose i krijon personit një mjedis frikësues, armiqësor, përçmues, poshtërues apo shpeshherë, që për fat të keq na ndodh edhe në sallat e Kuvendit dhe në çdo formë të shoqërisë sonë, bëhet ofendues.
Ky është diskriminim.
Shqetësimi si koncept, kur bëhet dhe cenon dinjitetin e personit, kur i krijon personit një mjedis frikësues, armiqësor, përçmues, poshtërues apo ofendues, është diskriminim.
Njëkohësisht futet për herë të parë përkufizimi i viktimës.
E kishim ligjin, e bëmë në vitin 2010-ën, erdhën këtu, e bëmë në 2020-ën, por personi i diskriminuar nuk kishte të përkufizuar konceptin e viktimës, duke mos garantuar mbrojtje të drejtpërdrejtë ligjore.
Pra e kishim ligjin, por nuk i garantonte mbrojtje ligjore viktimës nga diskriminimi. Dhe kjo mbrojtje duhet të jetë mbrojtja e drejtë ligjore për çdo person apo grup që pretendon që është nën një formë diskriminimi.
Ligji që keni përpara, pra ndryshimet që keni përpara, ndryshimet zgjerojnë në mënyrë të qartë fushën e subjekteve të mbrojtura nga diskriminimi.
Së pari, mbrojtja shtrihet për shtetasit shqiptarë brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Dhe do të thoni ju: a ka juridiksion? Patjetër, sepse për fat të mirë, edhe për shkak të qasjes që kanë direktivat edhe direktivat e BE-së, përafrimi garanton që qytetarët shqiptarë që jetojnë edhe në vendet e BE-së të kenë mbrojtje.
Për shtetasit e huaj rezidentë në Shqipëri, për personat pa shtetësi, apatridë, si dhe për personat fizikë dhe juridikë që ushtrojnë veprimtari nën juridiksionin shqiptar. Kjo shtrirje garanton mbrojtje reale dhe të barabartë si në marrëdhëniet me autoritetet publike, ashtu edhe me subjektet private.
Pas miratimit nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, ne do të kemi një instrument më shumë, pra si Kuvend flas sepse jam edheunë si propozues, pjesë e vullnetit, sheh mundësinë që të shtrijmë juridiksionin në garantimin e mbrojtjes për çdo qytetar shqiptar ndaj çdo lloj forme diskriminimi, edhe në sektorin privat dhe ndaj kompanive.
Një element thelbësor i ndryshimeve lidhet me ndalimin e plotë të viktimizimit për shkak të diskriminimit.
Pra, një qytetar apo një qytetare që diskriminohet në mënyrë të vazhdueshme, të përsëritur, është në një formë viktimizimi dhe ne duhet të ndalojmë çdo lloj forme diskriminimi që sjell viktimizim.
Ndalohet çdo trajtim më pak i favorshëm si pasojë e ankimit, kundërshtimit, mosnënshtrimit apo nënshtrimit ndaj një sjelljeje diskriminuese, duke e shtrirë këtë mbrojtje në të gjitha fushat ku vepron ligji dhe duke detyruar autoritetet publike dhe subjektet private të marrin menjëherë masa konkrete parandaluese dhe mbrojtëse.
Ndryshimet e reja forcojnë mbrojtjen nga diskriminimi në fushën e punësimit, profesionit dhe të mbrojtjes sociale.
Ligji, të nderuar kolegë, të nderuara kolege, përfshin shprehimisht profesionin, vetëpunësimin, ngritjen në detyrë.
Ka ndodhur shpeshherë diskriminimi me bazë gjinore në proceset e ngritjes në detyrë dhe kjo është e vërtetë, mos mbyllim sytë, në kushtet e punës apo në skemat e sigurimeve shoqërore.
Parashikohet detyrimi për konsultim me komisionerin në hartimin e çdo akti, çdo politike, çdo plani dhe programi që lidhet me trajtimin e barabartë, si dhe e drejta e komisionerit për të ndërhyrë në mbrojtje të interesit publik dhe kolektiv përmes paraqitjes së padive.
Kemi një fushë tjetër ku duhej ndërhyrë, zonja dhe zotërinj anëtarë të Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike, dhe kjo është fusha e arsimit.
Ligji forcon ndalimin e diskriminimit në të gjitha nivelet arsimore dhe në të gjitha institucionet publike dhe private, përfshirë aspektin e financimit.
Kam dëgjuar shpesh edhe kolegë deputetë, të cilët flasin, madje edhe në emër të minoriteteve të respektuara në Republikën e Shqipërisë, dhe flasin për forma
të ndryshme të kësaj familjeje.
Po ashtu përmirësohet ndjeshëm mbrojtja dhe aksesi në shërbime më të mira për publikun, përfshirë mbrojtjen sociale dhe strehimin, duke vendosur detyrime konkrete për personat fizikë dhe juridikë që ofrojnë shërbime, duke garantuar mekanizma efektivë ankimi.
Një prej çështjeve më shqetësuese në luftën kundër diskriminimit është që personi i diskriminuar as nuk e di ku të ankohet dhe si ta adresojë këtë formë diskriminimi, që të mos kthehet në viktimë.
Dhe një shtyllë qendrore e ndryshimeve është forcimi i statusit të pavarësisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Unë bëj pjesë ndër ata që, sikurse kam lexuar me shumë vëmendje edhe gjetjet e komisionit tuaj, i nderuar kryetar, në vlerësimin e punës, si dhe të Komisionit për të Drejtat e Njeriut si komision përgjegjës në vlerësimin e punës së këtij institucioni, bashkë me ju dhe bashkë me komisionet e tjera, besoj që ndajmë të gjithë të njëjtin qëndrim, që buron edhe nga detyrimet e Shqipërisë në rrugën e ribashkimit me Europën, për ta konfirmuar fuqimisht autonominë e plotë institucionale, organizative dhe financiare, ku këtij komisioneri t’i garantohet personel i pavarur, me status nëpunësi civil.
Vetëm kështu, ka dëshmuar edhe historia e administratës publike në tërësi, mund të garantojmë një institucion plotësisht të pavarur, me buxhet të dedikuar dhe me pavarësi institucionale në menaxhimin e burimeve të veta njerëzore.
Vendoset edhe një detyrim për raportimin vjetor publik në Kuvend, por edhe raportimin tematik dhe periodik, si dhe zgjerohen kompetencat për mbledhjen dhe analizën e të dhënave.
Në fakt, kjo është një formë që sapo e miratuam me konsensus edhe te rasti i Avokatit të Popullit dhe gjej rastin të falënderoj të gjithë deputetët që e mbështetën, sepse kur bëhet fjalë për forcimin e institucioneve të pavarura, e vërteta është që nuk ka dallime politike dhe votimi i ditës së enjte e dëshmoi më së miri këtë gjë.
Po ashtu zgjerohen kompetencat për mbledhjen dhe analizën e të dhënave, pa harruar një element jetik dhe thelbësor, sikurse është mbrojtja e të dhënave personale.
Zonja dhe zotërinj, në tërësi këto ndryshime krijojnë një kuadër ligjor më koherent, më funksional, më efektiv kundër diskriminimit. Ato forcojnë realisht mbrojtjen e viktimave, rrisin përgjegjshmërinë e institucioneve publike dhe private dhe pozicionojnë Shqipërinë tonë të përbashkët në përputhje të plotë me standardet më të mira, më të avancuara europiane në këtë fushë. Të thëna të gjitha këto, ndoshta u zgjata, por mendoj se ishte e nevojshme që ndryshimet e propozuara, të cilat, siç ua bëra edhe parashtrimin, përfaqësojnë një vijimësi, një thellim dhe konsolidim të një angazhimi të qëndrueshëm ligjvënës për barazinë, dinjitetin njerëzor dhe për shtetin e së drejtës. Ndaj i ftoj anëtarët e nderuar të këtij komisioni dhe më pas Kuvendin e Shqipërisë ta mbështesin, pavarësisht përkatësive partiake politike propozimin.
