TIRANE-Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një deklaratë për mediat iu ka bërë thirrje deputetëve të maxhorancës, që nesër të mos votojnë ligjin për Teatrin Kombëtar.
Sipas tij, çdo deputet që do të ngrejë lart kartonin, do të konsiderohet nga opozita si terrorist shtetëror. Ai e quajti akt antikushtetues e grusht shteti votimin e amendimeve të ligjit për Teatrin.

“Sot kam pritur përfaqësues të nderuar të Aleancës për Teatrin, artistë e intelektualë të shquar, njerëz me kontribut të jashtëzakonshëm për dekada me radhë, për artin, për kulturën, për vetëdijen e shqiptarëve, përfaqësues të elitës së mendjes dhe të shpirtit të shqiptarëve të cilët ndajnë një shqetësim të madh që është edhe shqetësimi i qindra dhe mijëra qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, artdashësve dhe padyshim edhe shqetësim i PD-së dhe i imi personalisht. Nesër në kuvendin e Shqipërisë do të kryhet një akt antikushtetues”, deklaroi Basha.

Sipas tij, ‘në vend të rrëzimit apo pranimit të dekretit të Presidentit të Republikës për ligjin korruptiv Rama-Fusha do të amendohet ky ligj për t’i hapur rrugën një procesi fasadë, 30 ditor, në fund të së cilës krimi i organizuar dhe përfaqësues të tyre përsëri do të marrin lejen për të gllabëruar pronën publike, për të shkatërruar një perlë të kulturës, historisë, trashëgimisë kulturore dhe memories qytetare dhe kombëtare siç është rrethi kulturor Skënderbe-Teatri Kombëtar dhe për të pastruar paratë e krimit e drogës në një përfitim marramendës prej 200 milionë eurosh për Edi Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë krim’.

“Partia Demokratike ka një qëndrim të qartë dhe të pandryshuar. Ligji Rama-Fusha është një ligj antikushtetues. Ai duhet të rrëzohet nesër në parlament. Dua t’i them sot çdo deputeti të rilindjes që do të jetë në atë sallë se votimi i një ligji që i hap rrugë shkatërrimit të teatrit është i papranueshëm për PD. Është akt grushti shteti dhe vendos çdo deputet të rilindjes në pozita të barabarta me terroristët. Terroristët të cilët në mungesë të Gjykatës Kushtetuese dhe ligjeve të vendit, tjetërsojnë pronën publike, shkatërrojnë memorien historike, gllabërojnë dhe shkatërrojnë vlerat kulturore për të mbushur xhepat e Edi Ramës dhe kriminelëve që bashkëqeverisin vendin me të”, theksoi kreu i PD-së.

Basha theksoi se nesër opozita do të mbajë një qëndrim të qartë dhe të prerë në varësi të ngjarjeve. Nuk ka munguar dhe paralajmërimi për deputetët. “Sonte secili prej kartonmbajtësve të rilindjes në Kuvendin e Shqipërisë ka orët e fundit të reflektojë që nesër çdokush që ngre kartonin për të kaluar një ligj të tillë antikushtetues dhe për të shembur përmes terrorit shtetëror godinën e Teatrit do të trajtohet politikisht nga opozita si terrorist shtetëror”.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb