Gazetarja dhe kryeredaktorja e emisionit “Log.” në News24, Juela Meçani, ka reaguar pas ngjarjeve të fundit që përfshinë ndërhyrjen e forcave të ushtrisë në ambientet e televizionit.
“Gazetarët janë më të fortë se çdo lloj pushteti,” tha Meçani, duke e cilësuar ndërhyrjen si një “goditje nën brez për gazetarët” dhe një “shkelje flagrante të ligjit”.
Ajo shprehu shqetësim për faktin se dokumentacione personale dhe materiale pune janë sekuestruar, ndërkohë që gazetarëve nuk u është dhënë asnjë leje për t’i marrë. “Unë ende nuk kam marrë sendet e mia personale nga zyra,” tha ajo.
Sipas Meçanit, kjo ndërhyrje nuk mund të kishte ndodhur në asnjë vend tjetër evropian që respekton liritë dhe fjalën e lirë.
“Kjo është goditja më e madhe që është bërë ndonjëherë ndaj medias në Shqipëri. Sulmi ndaj News24 ka një arsye madhore, dhe ajo lidhet me denoncimet e aferave korruptive që ne kemi bërë me fakte, si askush tjetër,” shtoi ajo.
(BalkanWeb)
