Prej mesit të janarit, kur reshjet e dendura të shiut përfshinë Kukësin, Liqeni i Fierzës është kthyer në një grumbullim masiv mbeturinash që mbulojnë sipërfaqen dhe brigjet e tij. Pamjet e ditëve të fundit tregojnë një situatë të rënduar, pavarësisht përpjekjeve të Bashkisë për pastrimin e tyre përmes anijes ekologjike.

Banori i zonës, Agim Cengu, thotë se ndotja e liqenit është një fenomen i vazhdueshëm ndër vite. Sipas tij, edhe pse anija ekologjike punon çdo ditë për largimin e mbetjeve, ajo nuk arrin të përballojë fluksin e madh që grumbullohet, sidomos në brigjet ku përfundojnë mbeturina të sjella nga prurjet e lumenjve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

“Ndotja ka vite që vazhdon. Anija pastron çdo ditë, por mbeturinat janë shumë të mëdha në sasi. Me reshjet e shumta të këtij viti, situata është përkeqësuar edhe më  tepër”, shprehet ai.

Sipas Cengut, këtë vit ndotja është më e madhe për shkak të reshjeve intensive gjatë dy muajve të parë të vitit, të cilat kanë sjellë prurje të shumta mbetjesh drejt liqenit. Ai thekson se, megjithëse pastrimi kryhet rregullisht, mbeturinat vijojnë të grumbullohen çdo ditë.

“Sa pastrohen sot, nesër vijnë përsëri. Është një cikël që nuk po ndalet”, tha Cengu.

Fenomeni i ndotjes, sipas tij, është prezent që prej ndërtimit të HEC-it të Fierzës pas vitit 1978, kur liqeni nisi të shërbejë si rezervuar i madh ujor. Cengu e cilëson situatën si një katastrofë ekologjike, duke theksuar se mes mbeturinave gjenden edhe ilaçe farmaceutike dhe ushqime për bagëti të hedhura në mënyrë të pakontrolluar.

“Këtu nuk janë vetëm plastika. Ka edhe ilaçe, ushqime për bagëtitë, mbetje të tjera që janë të rrezikshme.”Mbeturinat në brigjet e liqenit janë kthyer në shqetësim serioz edhe për banorët e fshatrave përreth, ku shumë familje kullosin bagëtitë pranë ujit. Vetë Agimi tregon se një nga lopët e tij ka ngordhur pasi kishte konsumuar mbetje të hedhura në breg.

“Na ka ngordhur një lopë nga mbeturinat. Është dëm i madh për ne”, tregon ai.

Banorët kërkojnë zgjidhje më të qëndrueshme dhe bashkëpunim ndërkufitar për të frenuar ndotjen që, sipas tyre, po e shndërron Liqenin e Fierzës nga një pasuri natyrore në një vatër të rrezikshme ndotjeje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb