Kryeministri Edi Rama ka dhënë më shumë detaje lidhur me aksionin për lirimin e hapësirave publike, duke paralajmëruar masa të ashpra ndaj atyre që sfidojnë rregullat e reja dhe që sipas tij luajnë “lojën macja me miun” me autoritetet.
Në një deklaratë të bërë gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë në Facebook, Rama tha se procesi do të vijojë “hap pas hapi” dhe me durim, por edhe me vendosmëri të plotë ndaj atyre që abuzojnë.
“Duhet durim sepse janë shumë raste dhe disa nuk marrin vesh. I thua shtyhu, ata shtyhen më përpara. Kjo do adresohet një nga një,” theksoi Kryeministri.
Ai bëri të ditur se është duke u hartuar një rregullore kombëtare për hapësirat publike, e cila do të përcaktojë qartë kufijtë dhe standardet që duhet të respektohen nga të gjithë, bazuar në modelet e qyteteve europiane si Barcelona dhe Kopenhaga.
“Rregullorja do të përcaktojë me centimetra kufijtë e hapësirave që mund të përdoren nga subjektet private. Do të ketë edhe detyrime, por edhe ndëshkime të forta për ata që nuk respektojnë rregullat,” deklaroi Rama.
Në vijim, ai paralajmëroi nisjen e fazës së dytë të “Rilindjes Urbane”, që do të përqendrohet në transformimin e hapësirave të liruara në ambiente të bukura dhe funksionale për komunitetin.
“Rilindja Urbane 2.0 do t’i kthejë këto hapësira të çliruara në vende të denja për qytetarët. Pastrojmë disa zona, por nuk mund t’i lëmë ashtu. Duhet të ndërhyjmë me projekte urbanistike që të krijojmë hapësira të bukura dhe të dobishme,” theksoi Kryeministri.
Ky angazhim, sipas tij, nuk ka të bëjë me një aksion të përkohshëm, por me një mënyrë të re të bashkëjetesës mes qytetarëve, komunitetit dhe autoriteteve, në një shtet që aspiron standardet europiane.
(BalkanWeb)
