Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, ka njoftuar se aksioni për lirimin e hapësirave publike në qytet, i cili prek edhe bizneset në zonën e pedonales, do të shtyhet deri më 17 gusht, në përfundim të Festës së Birrës Korça.

Në një deklaratë për mediat, Filo u shpreh se ky vendim vjen pas një takimi konstruktiv me bizneset, ku u diskutuan shqetësimet lidhur me afatet dhe zbatimin e standardeve të reja për përdorimin e hapësirës publike.

“Diskutimi i djeshëm me bizneset u trajtua nga ana ime si diskutim konstruktiv, ku kam qenë i hapur të dëgjoj e të pranoj deri në masë të caktuar shqetësimet reale të bizneseve. Ju është dhënë ky afat nga ana ime deri më 17 gusht që përkon me mbylljen e festës së birrës, por ndërkohë u është kërkuar që t’i heqin të gjithë elementët e tjerë, pedanat, vazot, dhe mund të qëndrojnë tendat deri më 17 gusht, e më pas të zëvendësohen,” deklaroi Filo.

Sipas kryebashkiakut, aksioni për lirimin e hapësirave publike është pjesë e një projekti më të gjerë për rikthimin e standardeve urbane në zonat publike të qytetit.

“Bashkia e Korçës ka nisur aksionin e lirimit të hapësirave publike në qytet, në vijim edhe të aksionit kombëtar. Ky aksion do të prekë hapësirat publike që janë zënë nga bizneset, hapësirat publike që rrethojnë pallatet… Elementi i parë janë elementët e mobilimit urban që do të lejohet të vendosen në këtë hapësirë publike, që do të jenë vetëm çadra, karrige e tavolina, duke hequr të gjithë elementët e tjerë që janë pedanat, ndarjet anësore apo vazo rreth e rrotull bizneseve. Elementi i dytë është madhësia e hapësirës publike që do të vihet në dispozicion të bizneseve, për të respektuar raportin 25% për bizneset dhe 75% në dispozicion të kalimtarëve,” sqaroi ai.

Ai shtoi gjithashtu se brenda ditës së sotme bizneseve do t’u vihet në dispozicion hapësira e re që do të mund të shfrytëzojnë, sipas kushteve të reja.

Në fund të deklaratës së tij, Filo theksoi se transformimi i zonës pedonale është një proces që ka nisur prej vitesh dhe se bizneset janë informuar vazhdimisht për ndryshimet e pritshme.

“Kam bërë një kronologji të ecurisë së zonës pedonale që nga momenti kur ky investim është bërë nga bashkia… E vërteta është që unë si kryetar bashkie dhe këtë besoj duhet ta dëshmojnë pjesa më e madhe e bizneseve, nuk i kam inkurajuar asnjëherë që ta bëjnë këtë lloj ndërhyrje… Kam qenë dhe jam i gatshëm, dje kam diskutuar dhe kam qenë i mirëkuptuar për ato pika që ishin shqetësim si afati i ndërrimit të çadrave që do një kohë fizike për t’u prodhuar çadrat, por për pikat që janë abuzive, nuk kam qenë e nuk jam fare mirëkuptues,” përfundoi ai.

(Balkanweb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb