Presidenti Joe Biden, ka reaguar në lidhje me lirimin e pengjeve nga Hamasi, tre pengje të cilat iu dorëzuan ushtrisë izraelite nga punonjës të Kryqit të Kuq.
Biden u tha gazetarëve se ishte i kënaqur që ekipi i tij dhe ekipi i Presidentit të zgjedhur Trump folën me një zë në ditët e fundit të presidencës së tij, për të ndihmuar në finalizimin e armëpushimit të Gazës dhe marrëveshjes së pengjeve.
“Isha i kënaqur që ekipi ynë arriti të fliste si një zë i vetëm në ditët e fundit. Ishte edhe e nevojshme, edhe efektive dhe e paprecedentë, por suksesi do të kërkojë këmbëngulje dhe mbështetje të vazhdueshme për miqtë tanë në rajon dhe besimin në diplomaci. Tani i takon administratës së ardhshme të ndihmojë në zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Biden.
E diela shënon ditën e fundit të administratës së Bidenit, pasi presidenti i zgjedhur Donald Trump pritet të betohet ditën e nesërme.
