Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka zhvilluar një vizitë në Prishtinë, ku ka marrë pjesë në një darkë të organizuar në bazën ushtarake të NATO-s dhe ka zhvilluar takime me përfaqësues të strukturave të sigurisë dhe personalitete shqiptare.
Përmes një reagimi, Hoxha bëri të ditur se gjatë vizitës ka qenë në Zyrën e Inteligjencës së NATO-s, ku është takuar me ish-komandantin e Zyrës G2 të Inteligjencës dhe Sigurisë, si dhe ka uruar drejtuesin e ri të kësaj strukture. Gjatë takimit, sipas tij, është diskutuar për sigurinë e përbashkët dhe sfidat me të cilat përballet rajoni, mes tyre terrorizmi, lufta hibride dhe krimi i organizuar ndërkombëtar.
Në reagimin e tij, Hoxha ngriti shqetësimin për cenimin e strukturave të sigurisë kombëtare në Shqipëri, duke theksuar se një pjesë e rëndësishme e zinxhirit të sigurisë është komprometuar. Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si vendi po përballet me krimin dhe korrupsionin, duke theksuar se demokracia nuk mund të mbrohet pa institucione profesionale dhe me integritet.
Sipas Hoxhës, Shqipëria, në bashkëpunim me NATO-n dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duhet të forcojë kapacitetet e saj të sigurisë dhe të konsolidojë institucionet demokratike dhe sundimin e ligjit.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së është takuar edhe me deputetin e Kosovës, Ukë Rugova, djalin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, si dhe me Naim Dedushajn, Drejtor Ekzekutiv i Biznesit të Diasporës Shqiptare. Me ta ka diskutuar për zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë, sfidat e përbashkëta dhe perspektivën euroatlantike të dy vendeve.
Hoxha vlerësoi gjithashtu rolin e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera të botës, duke e cilësuar atë jetik në përcjelljen e interesave dhe shqetësimeve të shqiptarëve te aleatët ndërkombëtarë.
Në përfundim, ai theksoi se Shqipëria dhe Kosova duhet të ndjekin rrugën euroatlantike, duke marrë si pikë referimi vizionin politik të Ibrahim Rugovës, ndërsa nënvizoi se synimi i përbashkët duhet të jetë zhvillimi i vendeve tona dhe forcimi i rolit të shqiptarëve në rajon.
