Humbja me përmbysje në Kupë ndaj Egnatias shtangu Partizanin, ndërsa aktualisht ndodhet edhe jashtë objektivave minimalë të sezonit. Por kush e përbënte ekipin e “demave”, që u hodh në fushë nga Gega kundër kampionëve në fuqi?

Bie në sy se nga viti 2023, pas shpalljes kampion, emrat e afruar dhe që luajtën të mërkurën për Partizanin janë transferuar më parë nga klube që rrezikuan mbijetesën, ishin në Kategorinë e Parë apo futbollistë pa klub prej muajsh.

Nga Kukësi, Erzeni dhe Teuta që mbyllën një sezon të vështirë në vitin 2023, Partizani mori respektivisht Bytyçin, Mehmetin dhe Qirkon. Lojtarë  të tjerë që luajtën ndaj Egnatias, ishin afrime nga skuadra të Kategorisë së Parë si Preka nga Bylis dhe Keko prej Korabit. Domgjoni dhe Eleke janë të afruar gjatë këtij sezoni, teksa të dy qëndronin prej muajsh pa ekip.

Bintsuka ndërkohë u kthye nga huazimi te Drenica, që nuk ia doli të mbijetojë në Superligën e Kosovës. Ismaili u transferua si lojtar i lirë, pasi mbylli bashkëpunimin me Gjilanin që rrezikoi rënien deri në fund. Janjeva dhe Sembene mund të quhen zbulime të Partizanit.

Futbollistët më sipër që e nisën ndaj Egnatias, me përjashtim të Elekes dhe Domgjonit, janë prej të paktën dy sezonesh bashkë. Një fakt ky pozitiv për ekipin e Partizanit, ndërsa duhet thënë edhe se të përmendurit më sipër ishin ndër ata që spikasnin më parë me klubet respektive. Të dielën të kuqtë do të luajnë fatin e gjithë sezonit ndaj Elbasanit.

Screenshot 2025-04-26 152543-logo

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb