PRISHTINE- Mungesa e marrëveshjes me Listën Serbe ka ndikuar që kryesia e Kuvendit të Kosovës të shtyjë votimin e amendamentit kushtetues për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK) për një afat të pacaktuar.

Formimi i Forcave të Armatosura, kërkon ndryshime kushtetuese, të cilat janë të mundshme vetëm përmes votimit të dyfishtë, që nënkupton sigurimin e dy të tretave të votave të deputetëve dhe dy të tretat e votave të minoriteteve, shkruan ‘Evropa e lirë’.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se tani për tani, partitë e koalicionit nuk kanë konsensus me Listën Serbe kështu që formimi i Forcave të Armatosura është shtyrë, ndonëse ai është shprehur i bindur se kjo Forcë do të themelohet.

Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë pasardhëse të Forcave të Sigurisë së Kosovës të cilat kanë më shumë kompetenca të ndërhyrjeve emergjente sesa ushtarake.

Po ashtu, Forcat e Armatosura, mund të themelohen vetëm nën mbikëqyrjen e NATO-s me numër të caktuar ushtarësh dhe me armatim dhe pajisje të përcaktuara në marrëveshje ne NATO-n.

Sidoqoftë, fillimisht për themelimin e këtyre Forcave, do të nevojitet të arrihet edhe pajtimi me Listën Serbe, pasi që ky subjekt përfaqëson aktualisht shumicën e komunitetit serb në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb