Në seancën plenare publike në Gjykatën Kushtetuese për çështjen Balluku, prokurorët e SPAK argumentuan se vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës nuk ka krijuar asnjë konflikt kompetencash mes institucioneve. Sipas tyre, është kryeministri Edi Rama ai që po ndërhyn, duke penguar hetimin.

Prokurorët e SPAK deklaruan para Gjykatës Kushtetuese se Edi Rama nuk duhet të legjitimohet si palë kërkuese, pasi nuk i është cenuar asnjë interes në mënyrë të drejtpërdrejtë.

SPAK argumentoi gjithashtu se pas vendimit të ndërmjetëm të Gjykatës Kushtetuese, i cili e riktheu Belinda Ballukun në detyrë, hetimi është dëmtuar, pasi ka të dhëna se ajo ka tentuar të prishë prova.

Ilir Rusmali, përfaqësues i Presidencës, la të kuptohej se ekziston rreziku që prokurorët dhe gjyqtarët të abuzojnë me ligjin, duke pezulluar ministra dhe, për pasojë, duke paralizuar funksionimin e qeverisë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave argumentuan se GJKKO ka ndërhyrë në kompetencat e ekzekutivit dhe ka penguar punën e qeverisë përmes pezullimit të Ballukut. Ata theksuan se ministri gëzon imunitet njësoj si deputeti dhe, për rrjedhojë, nevojitet një kërkesë drejtuar Kuvendit për caktimin e masave të sigurisë.

Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi argumentet e palëve, e përfundoi shqyrtimin e çështjes dhe pritet të dalë me një vendim, në një proces që ka shkaktuar përplasje të forta mes maxhorancës dhe institucioneve të drejtësisë. Belinda Balluku akuzohet nga SPAK për abuzime me tendera në vlerë miliona euro.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb