TIRANË

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një intervistë për “News24”, ka dhënë detaje pas prezantimit të kartëmonedhës me vlerë 10 mijë lekë, që do të hidhet në treg më 30 qershor.

Sejko thotë se prerja më e madhe e kartëmonedhave, që pritet të futet në qarkullim, do t’i shërbejë sistemit bankar, strukturës së çmimeve, por do të ndihmojë edhe bizneset dhe qytetarët.

“Prerjet e reja të kartëmonedhës u prezantuna pardje dhe janë prerje 1 mijë lekë e 10 mijë lekë, e cila është prerje tërësisht e re. Në shtator të 2019 ne prezantuam serinë e rishikuar, nuk është ndryshuar tematika, por janë shtuar elementet e sigurisë, si dhe përmasat. Synimi ka qenë për të përmirësuar kartëmonedhën, por edhe për të pasur një kartëmonedhë më të sigurt. Prerja 10 mijë lekë është tërësisht e re, me himnin e flamurin dhe Asdrenin. Kartëmonedha 1 mijë dhe 10 mijë lekë do të marrin kurs ligjor, pra do të hidhen në treg më 30 qershor”, tha Sejko.

I pyetur nga gazetarja se ku bazohet BSH, kur merr vendime të tilla dhe a i duhet ekonomisë shqiptare një kartëmonedhë me prerje kaq të madhe, Guvernatori Sejko u përgjigj se “Kartëmonedha 10 mijë lekë, që hidhet në qarkullim, vendimi është marrë 9-10 vjet më parë. Gjatë këtyre viteve është elaburuar dhe projekti ka marrë kohën e tij, deri te materializimi. Kishte ardhur moment që tregu shqiptar, sistemi financiar, bankiar, kishte nevojë për një prerje më të lartë. Kjo prerje më e lartë sigurisht që ishte nevojë e tregut dhe ekonomisë shqiptare, por ndihmon edhe BSH, në rezervën e parasë, sistemin e parasë për një administrim më të mirë për rezervën e parasë, por edhe bizneset e individët shqiptarë. Mund të ishte më herët, por jemi në kohë për këtë prerje”.

Pjesë nga intervista:

Gazetarja: Do flasim si e thamë pak më parë në lidhje me dy kartëmonedhat e reja që do hidhen në qarkullim në 30 qershor. Mund të më thoni se cilat janë këto prerje dhe çfarë do të sjellë kjo për qytetarët?

Guvernatori: Prerjet e reja që u prezantuan pardje në ambientet e Bankës së Shqipërisë janë ato me vlerë 1000 Lekë dhe 10000 Lekë, e cila është një prerje tërësisht e re. Në fakt, në vitin 2019 ne kemi prezantuar serinë e re të kartëmonedhës. Në këtë seri nuk ka ndryshuar tematika, por ka ndryshuar përmasa, dizenjimi dhe janë shtuar elementet e sigurisë në kartëmonedhë. Qëllimi dhe synimi ka qenë për të përmirësuar kartëmonedhën, të përshtatemi me standardet ndërkombëtare të kartëmonedhave duke ju referuar kryesisht euros por dhe kartëmonedhave të vendeve të zhvilluara, dhe njëkohësisht për të pasur një kartëmonedhë më të sigurt, më cilësore në duart e agjentëve ekonomikë dhe qytetarëve shqiptarë. Prerja më e lartë e kartëmonedhë, prerja 10000  Lekë është një prerje tërësisht e re e cila ka si tematikë himnin e flamurit dhe poetin e rilindjes kombëtare Asdreni, i cili ka bërë dhe tekstin e himnit të flamurit. Këto dy prerje të reja, pjesë e serisë së re, do të marrin kurs ligjor, pra do të do të jenë në përdorim si mjet pagese në tregun shqiptar, në datën 30 qershor. Ne jemi aktualisht në ditët e komunikimit, prezantimit, informimit të publikut për këto dy kartëmonedha të reja.

Gazetarja: Qëndrojmë pak te elementët meqenëse kemi një kartëmonedhë të re, e cila do të hidhet në 30 qershor. Ndalemi tek kartëmonedha 10000 Lekëshe, është një prerje reje e re që do të përdoret për monedhën shqiptare, ku bazohet Banka e Shqipërisë kur merr vendime të tilla ? Dhe a i duhet ekonomisë shqiptare një kartëmonedhë me prerje kaq të madhe?

Guvernatori: Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për këtë prerje është marrë në mos gaboj 9 apo 10 vite më parë. Thjesht gjatë këtyre viteve është elaboruar dhe projekti i ri për dizenjimin në kuadër të rishikimit të serisë së kartëmonedhës projekt i cili ka marrë kohën e tij, dhe po materializohet duke hedhur prerjet e reja në qarkullim sipas njoftimeve që ne kemi bërë.

Sigurisht që kishte ardhur momenti që tregu shqiptar, sistemi financiar, sistemi bankar, agjentët ekonomikë dhe përdoruesit të kishin nevojë për një prerje më të lartë. Ne e dimë që prerja më e lartë e kartëmonedhës shqiptare ka qenë ajo prej 5000  Lekë, e cila është pjesë e emisionit të vitit 1996. Po të kemi parasysh sa vite kanë kaluar dhe ku kanë qenë pagat dhe niveli i çmimeve në Shqipëri, krahasuar me vitin 1996, kuptojmë se sa herë janë rritur dhe nevojën për një prerje më të lartë. Kjo prerje vjen si një nevojë e tregut shqiptar dhe ekonomisë shqiptare, por njëkohësisht ndihmon dhe bankën qendrore për një mirëadministrim në rezervën e parasë, ndihmon sistemin bankar për një mirëadministrim të stokut të parasë ose sasitë e tyre që kanë në thesar në ambientet e administrimit të parasë, por gjithashtu dhe bizneset dhe individët shqiptarë. Mund të kishte qenë dhe më herët, por themi që jemi në kohë për një prerje më të lartë në serinë e kartëmonedhës shqiptare.

Gazetarja: A i duhet ekonomisë shqiptare një kartëmonedhë me prerje kaq të madhe? Kush janë përfituesit më të mëdhenj nga kjo?

Guvernatori: Patjetër që vendimi i Këshillit Mbikëqyrës ka qenë më herët, por ka një procedurë ligjore jo vetëm për prerjen, por edhe për tematikë, sasinë e kartëmonedhës dhe elementë të tjera të saj. Në serinë e re të kartëmonedhës ne nuk kemi ndryshuar tematikat për prerjet, simbolet e të gjithë kartëmonedhave janë ato që kanë qenë të cilat pasqyrojnë historinë e kombit shqiptar që nga lashtësia deri në ditët e sotme përpjekjet e tij për liri dhe prosperitet dhe kartëmonedha e fundit përfaqëson himnin e flamurit. Sigurisht që përcaktimi i tematikës së kartëmonedhës nuk është atribut i vetëm i Bankës së Shqipërisë por është rezultat i punës së një komisioni që përbëhet nga historianë, numizmatë, albanologë, ekspertë të fushës dhe sigurisht të Bankës së Shqipërisë. Është pikërisht ky komision që ka zgjedhur tematikën për prerjen e kartëmonedhës 10000  Lekë me himnin e flamurit, dhe më pas janë ndjekur të gjithë hapat ligjorë dhe proceset për të përcaktuar tematikën. Pas përcaktimit të tematikës, ekspertët vendosin elementët e sigurisë dhe formatimin e kartëmonedhës, e cila ka të bëjë me dukjen e kartëmonedhës.

Gazetarja: Kartëmonedha 10 mijë Lekëshe ka si tematikë simbolet e flamurit dhe himnit kombëtar, ndërsa në pjesën e përparme poetin Rilindas, Asdreni, njëkohësisht autor i himnit të Shqipërisë. Kjo foto e Asdrenit që ju keni zgjedhur ka shkaktuar debat në rrjetet sociale për ngjashmëri me politikanë të sotshëm. Keni një koment për këtë?

Guvernatori: Nuk i kam lexuar në fakt, s’i kam parë komentet në rrjetet sociale, mund të ketë komente nga më të ndryshmet. Poeti Asdreni është një poet i shquar i rilindjes kombëtare, është autori i tekstit të himnit të flamurit kombëtar. Komisioni që unë përmenda ka zgjedhur si tematikë për prerjen 10000  Lekëshe që ne po hedhim në qarkullim himnin e flamurit kombëtar. Meqenëse secila nga kartëmonedhat e serisë  kanë një portret, në rastin konkret lidhur me tematikën e himnit të flamurit portreti përkatës përkon portretin e rilindasit të shquar Asdreni. Komentet pastaj me ngjashmërinë e politikanëve shqiptarë mund të jenë nga më të ndryshmet. Nuk i kam parë komentet megjithatë edhe për ne të dy mund të gjejnë ngjashmëri nga më të ndryshmet, mund të jenë të mira apo të këqija, rëndësi ka sa serioze janë komentet dhe sa qëndrojnë. Unë mendoj që tematika e zgjedhur nga komisioni me ekspertë përkatës në detyrim të ligjit, në funksion të kartëmonedhës 10000  Lekëshe, pra që është himni I flamurit ka qenë një tematikë e zgjedhur me seriozitet me prudencë dhe është e saktë. Pastaj komentet, janë komente.

Gazetarja: Po prerjet 500 dhe 2 mijë Lekë kur hidhen në treg?

Guvernatori: Seria e rishikuar e kartëmonedhave tona ka dhe dy prerje të tjera të cilat nuk janë përfunduar, janë në proces prodhimi. Ne kemi nxjerrë nga seria e re e rishikuar që prezantuam në shtator të 2019 fillimisht prerjen 200 Lekë polimer dhe 5000 Lekë të cilat janë në qarkullim sot në duart e përdoruesve dhe qytetarëve shqiptarë, dhe janë mirëpritur nga publiku. Tani po hedhim prerjen 1000 Lekë dhe 10000 Lekë që janë dy prerjet e tjera të serisë. Seria përbëhet nga 6 prerje. Seria jonë e kartëmonedhave dhe prerja prej 500 Lekë dhe ajo 2000 Lekë janë në proces prodhimi. Pritet të vijnë në muajin nëntor ose dhjetor, por varet nga situata që do të ketë fabrika e prodhimit dhe parashikimi është që në fillim të vitit tjetër të hidhen në qarkullim. Dhe atëherë do të jetë e kompletuar e gjithë seria e re e kartëmonedhës shqiptare.

Edhe një herë e ritheksoj që prerjet e reja do të jenë në qarkullim paralelisht me prerjet ekzistuese. Pra prerjet ekzistuese do të jenë në qarkullim për publikun dhe agjentët ekonomikë paralelisht me prerjet e reja, gradualisht në kohë do të tërhiqen nga qarkullimi prerjet ekzistuese dhe vendin e tyre do ta zënë tërësisht prerjet e reja, por për një periudhë të gjatë kohe ne do të kemi të dy llojet e kartëmonedhave në qarkullim me kurs ligjor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb