Ka nisur protesta në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-liderëve të saj që mbahen në qelitë e Hagës.
Protesues të shumtë nga të gjitha trevat shqipfolëse janë mbledhur në Sheshin Skënderbej të Tiranës për të shprehur solidaritetin e tyre me 4 ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Flamujt kuqezi kanë mbushur sheshin kryesor të Tiranës, ndërsa protestuesit mbajnë në duar pankarta me thirrje kombëtare dhe për lirimin e ish-drejtuesve të UÇK-së.
Mes protestuesve është edhe Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Një shqiptar i ardhur nga Zvicra në Tiranë dhe i veshur me simbolet kuqezi tha për mikrofonin e News24 se ishte krenar të përkrahte sadopak sakrificën e UÇK-së.
Ai theksoi se shpalosja e simboleve të UÇK-së para heroit kombëtar, Skënderbeut, tregon mundin dhe sakrificën e tyre.
