Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare këtë të hënë. Seanca e sotme do të jetë vazhdim i asaj të ditës së enjte kur u ndërpre pas incidenteve dhe sherrit mes Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka dhe ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.

Sot deputetët pritet të votojnë për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH, vendim ky që vjen pas skandalit me garën për të zgjedhur Drejtorin e RTVSH.

Gjithashtu, po sot Kuvendi pritet të votojë edhe Avokatin e ri të Popullit. Erinda Ballanca vijon të ushtrojë detyrën edhe pse mandati i saj ka përfunduar në vitin 2022.

Mësohet se PD i ka propozuar mazhorancës për Avokat të Popullit emrin e Besim Ndregjonit, kreu i ish të përndjekurve politikë. Mbetet për t’u parë nëse shumica parlamentare do të pranojë emrin e Ndregjonit. Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit nevojiten 84 vota.

Një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës janë edhe votimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor sa i takon votës së diasporës. Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord që në zgjedhjet e 11 majit të votojnë edhe shqiptarët jashtë vendit me karta dhe pasaporta të skaduara, ndërsa shumica ka refuzuar propozimin për dokumentet jo shqiptare. Diaspora do të votojë me postë kostot e të cilës do të mbulohen nga shteti.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb