Në Pallatin e Kongreseve po zhvillohen homazhet në nderim të ish-kryeministrit dhe liderit historik të PS, Fatos Nano, i ndarë nga jeta 2 ditë më parë në moshën 73-vjeçare.

Dhjetëra qytetarë, simpatizantë dhe mbështetës të ardhur dhe nga rrethet, kanë qenë ndër të parët që kanë kryer homazhe.

Të pranishëm janë familjarë të Fatos Nanos, mes tyre bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, djali Sokol dhe ish-bashkëshortja Rexhina.

Homazhet publike kanë nisur që prej orës 8:30.

Më pas nga ora 11:15-11:45 do të zhvillohen homazhet e personaliteteve shtetërore dhe të trupit diplomatik.

Një pjesëtar i familjes së Nanos do të mbajë një fjalim, gjithashtu dhe kryeministri Edi Rama.

Në ceremoni do të marrin pjesë edhe personalitete politike nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, mes tyre Albin Kurti dhe Ali Ahmeti.

Në respekt për kontributin e tij në jetën publike dhe politike të vendi 2 nëntori është shpallur edhe ditë zie kombëtare.

Të gjithë flamujt në institucionet shtetërore do të ulen në gjysmë shtizë dhe në orën 12:00 do të ndalojë çdo aktivitet për të mbajtur një minutë heshtje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb