Partia Demokratike zhvillon këtë të shtunë një protestë kombëtare para Kryeministrisë, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Kjo e fundit u pezullua nga ushtrimi i funksioneve me vendim të GJKKO, por Gjykata Kushtetuese e riktheu përkohësisht në detyrë, deri në gjykimin në themel të ankimit të bërë nga kryeministri Edi Rama.

Protesta u thirr nga opozita si reagim ndaj skandaleve të Ballukut, pasi u mor e pandehur nga SPAK për korrupsion dhe abuzim me tenderat. Gjithashtu, SPAK kërkoi heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e Ballukut, por socialistët e shtyn vendimmarrjen e Këshillit të Mandateve për në datën 28 Janar.

Opozita ka paralajmëruar se protestat para Kryeministrisë do të jenë të qëndrueshme dhe vazhdim i një serie aksionesh politike, deri në largimin e Qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama.

Më parë në një postim në rrjetet sociale, Berisha iu drejtua me një mesazh qytetarëve ku e quajti ditën e sotme, si ditën kur populli opozitar i bën gjyqin kreut të qeverisë.

“Sot është dita e guximit qytetar. Dita kur populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit, kryeministrit të lidhur me banditë, trafikantë dhe vrasës. Është dita e ngadhënjimit mbi të keqen që ka mbërthyer Shqipërinë”, shkruan ai.

Nga ana tjetër, policia ka marrë masa të rrepta duke zbritur në terren 1350 efektivë për mbarëvajtjen e tubimit.
Është vendosur kordoni policor para godinës së Kryeministrisë, ndërsa me skafandër dhe maska kundragaz, forca të shumtë policie janë rreshtuar në zonë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb