Kanë kaluar 3 orë nga nisja e protestës së gjashtë qytetare kundër qeverisë dhe projektit në Zvërnec, por rezistenca e qytetarëve në shesh vijon. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, anulimin e projektit të debatueshëm në Zvërnec dhe rishikimin e një sërë vendimesh që, sipas tyre, cenojnë interesin publik.
Prej gjashtë ditësh me radhë, bulevardi kryesor i Tiranës është kthyer në epiqendrën e protestave, ku qytetarët kanë shprehur kundërshtimin e tyre përmes pankartave, thirrjeve dhe marshimeve.
Organizatorët kanë bërë të ditur se lëvizja do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, të cilat përfshijnë anulimin e projekteve të kundërshtuara, transparencë mbi vendimmarrjet qeveritare dhe marrjen e përgjegjësive politike nga ekzekutivi.
Kujtojmë se dje u prezantuan 5 kërkesa nga “Lëvizja e Re Qytetare” për Ramën:
1-Dorëheqjen e Qeverisë
2-Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë!
3-Shfuqizimin e Paketës së Maleve
4-Anulimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura
5-Anulimin e ndryshimin për trashëgiminë kulturore shqiptare.

