Debate dhe tensione në seancën e fundit plenare të këtij viti. Pas disa debateve për çështjen e grupit parlamentar të PD, disa prej tyre, si Noka, Spaho, Bylykbashi janë ngritur nga vendi dhe kanë shkuar në foltore. menjëherë është afruar dhe garda.

Tritan Shehu dhe Flamur Noka i kërkuan kryeparlamentares Lindita Nikolla që të diskutohen disa projektligje të propozuara nga Partia Demokratike. Gjithashtu, Noka kërkoi dhe nga Nikolla që të tregojë dokumentin që vërteton se ka kërkuar që të largohet nga grupi parlamentar i PD-së.

  • foto galeri
  • foto galeri

Pasi Nikolla dha sqarimet e saj, ajo i kaloi fjalën deputetes Dhurata Çupi. Kjo ka sjellë reagimin e ashpër të deputetëve demokratë, Shehu dhe Nokës.

Në një moment, Tritan Shehu iu drejtua Enkelejd Alibeajt duke deklaruar se ka falsifikuar dokumentet për përjashtimin e tyre nga grupi parlamentar i PD-së.

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i këtij të fundit, madje duke e ofenduar, “legen”.

Kjo është seanca e fundit parlamentare e vitit 2022, një seancë që pritet të zgjasë dy ditë, me diskutime e debate të shumta.

Në rend të ditës janë disa vendime dhe projektligje të rëndësishme, ndër të cilët veçojmë projektvendimin për emërimin e një anëtarët të Gjykatës Kushtetuese, atë për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, për emërimin e një anëtari të bordit të ERE-s, apo ndryshimet në Kodin Rrugor.

Po ashtu, në rend të ditës janë dhe disa marrëveshje të fushës financiare si ai për ndryshimet në buxhetin e vitit 2022, ratifikimi i marrëveshjes së huas, me Fondin Saudit për Zhvillim, për projektin e ndërtimit të lotit të tretë të rrugës Qukës-Qafa e Plloçë, ai për aderimin në iniciativën e përbashkët për rregulloren e brendshme për shërbimet e Organizatës Botërore të Tregtisë si dhe ai për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”.

Pas debateve të gjata në komisionet parlamentare, Kuvendi pritet të miratojë në seancën e sotme edhe projektligjin “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë” dhe atë “Për titujt e nderit dhe titujt vendore të nderit në Republikën e Shqipërisë”.

Në rendin e ditës së seancës së sotme është dhe projektvendimi “Për zgjedhjen e Kryetarit të Autoritetit për informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të shtetit”.

Bylykbashi: Kur do të bëhet prioritet në Kuvend lufta kundër korrupsionit?

Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi pyeti se kur do të jetë lufta kundër korrupsionit prioritet i Kuvendit.
“Lufta kundër korrupsionit është prioritet, por nuk është prioritet në Kuvend. Kur do të bëhet kjo prioritet në Kuvend”, tha Bylykbashi

Pas debateve të shumta mes Nokës dhe kryetares së Kuvendit Nikolla, kjo e fundit i ka bllokuar mikrofonin deputetit të PD, i cili ka refuzuar të largohet duke sjellë pranë foltores edhe deputëtët Spaho, Baçi dhe Albana Vokshin.

Sakaq, Nikolla i është drejtuar Vokshit drejtpërdrejt duke i thënë që të “ulet në vend” pasi atë nuk e ka përjashtuar ajo, ndërsa shtoi se ajo nuk ka fuqi ta heqë apo ta fusë në grupin parlamentar.

“Nuk do vazhdojmë?! Pse Albana se nuk do ti, si ka mundësi, ulu në vend aty, nuk të kam përjashtuar unë. Unë nuk të heq dhe nuk të fus në grup kur grupi. Ju tërheq vëmendjen për zënien e foltores”, tha Nikolla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: