Aktivisti Ilir Xhemalaj, në protestën e 52-të kundër kryeministrit Edi Rama, u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë qëndrimin në shesh deri në largimin e qeverisë.

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit nga Thethi për Paketën e Maleve dhe zhvillimin e zonave rurale, Xhemalaj ngriti shqetësimin për shpopullimin e fshatrave dhe mungesën e shërbimeve bazë në shumë zona të vendit.

“Sot kryeministri tha që nuk tërhiqem nga Paketa e Maleve, tha do ta bëj si Zvicra. Por kush do t’i marrë tokat? Shqipëria është shpopulluar”, u shpreh ai.

Aktivisti sfidoi kryeministrin të vizitojë zonat rurale në jug të vendit, duke marrë si shembull fshatin e tij në krahinën e Tepelenës.

“E sfidoj kryeministrin të shkojë në fshatin tim në krahinën e Tepelenës. Nuk ka rrugë, nuk ka drita, nuk ka ujë, nuk ka shërbime, por mbi të gjitha nuk ka njerëz. Atëherë, kryeministër, kush do t’i marrë këto toka?”, deklaroi Xhemalaj.

Ai kritikoi gjithashtu politikat e qeverisë për pronat dhe tokat bujqësore, duke pretenduar se vendi po përballet me një proces të shitjes së pasurive.

“Sot kryeministri tha që nuk tërhiqem nga paketa e maleve, tha do ta bëj si Zvicra…Kush do t’i marrë tokat.. Shqipëria është shpopulluar. E sfidoj kryeministrin të shkojë në fshatin tim në krahinën e Tepelenës, nuk ka rrugë, nuk ka drita nuk ka ujë, nuk ka shërbime, por mbi të gjitha nuk ka njerëz. Atëherë kryeministër, kush do t’i marrë këto toka. Ju duhet të jepni dorëheqjen. Para disa ditësh u kalua edhe një ligj për shitjen e tokave bujqësore. Gjithë Shqipëria është në shitje, kryeministri bën sehir. Duhet të jepni dorëheqjen”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb