Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në Sheshin “Skënderbej”, në Tiranë, në kuadër të protestës që shënon 100 ditë nga nisja e aksionit qytetar kundër qeverisë.
Aktivistët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në tubimin e sotëm, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për vijimin dhe përshkallëzimin e protestave. Protesta e sotme vjen pas një tjetër tubimi të zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet. Qytetarët pritet të marshojnë nga Sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, ku do të mbahen edhe fjalime.
Në qendër të kërkesave të protestuesve janë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike. Aktivistët kanë paralajmëruar gjithashtu vijimin e mosbindjes civile dhe përshkallëzimin e aksionit qytetar.
Lëvizja, e pagëzuar “Revolucioni Flamingo”, nisi më 31 maj si protestë kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë. Përplasjet në zonën e Zvërnecit dhe pamjet e publikuara në rrjetet sociale i dhanë shtysë mobilizimit qytetar.
Me kalimin e javëve, protesta u shndërrua nga një kauzë mjedisore në një lëvizje me kërkesa të gjera politike dhe sociale, ku krahas mbrojtjes së Nartës u shtuan thirrjet kundër korrupsionit, problemeve ekonomike, largimit të të rinjve dhe mënyrës së qeverisjes.
Protestat janë zhvilluar prej javësh në Tiranë dhe qytete të tjera, ndërsa tubime solidariteti janë organizuar edhe nga shqiptarë në diasporë.
Sot, në ditën e 100-të, vëmendja është përqendruar në Sheshin “Skënderbej”, ku vijon grumbullimi i qytetarëve para nisjes së protestës.
